​SBASHK-u nuk heq dorë nga greva, prindërit kundërshtojnë (Video)

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket grevës së paralajmëruar për 14 janar, nëse deri të premten institucionet nuk bëjnë asnjë hap drejtë realizimit të kërkesave të tyre. SBASHK kërkon të ngritët për 30 për qind koeficienti për tërë sektorin e arsimit. Kryeministri i vendit takoi përfaqësuesit e sindikatës dhe u zotua sot se do të angazhohen që të mirren parasysh disa nga kërkesat e tyre. E përfaqësues të instituteve të arsimit në Kosovë, po vlerësojnë që kërkesat e tilla duhet të jenë të ndërlidhura me performancë. Ndërkohë që prindërit janë deklaruar kundër grevës.

SBASHK-u po kërkon që në ditët në vazhdim të formohet grup punues që do të vendosë për ngritje të koeficienteve. Ky grup, sipas sindikatës, do të përcjell pastaj rekomandimet në komisione parlamentare.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë për KosovaPress, se nëse deri të premten nuk ka diçka pozitive, ata janë të vendosur që më 14 janar të futet në grevë i gjithë sistemi arsimor.
Sindikata është pritur sot në takim nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Jasharaj thotë se në takim janë marrë vesh që SBAShK, Ministri i Arsimit dhe Besnik Tahiri që përfaqëson zyrën e kryeministrit, të takohen me Komisionin Parlamentar për administratë, gjatë kësaj jave.
Jasharaj tregon se të enjte do të thërrasin këshillin drejtues, që është organi më i lartë i SBAShK-ut, dhe këshilli do të marrë vendim për hapat tutje.
Pas takimit, ka folur edhe shefi i ekzekutivit.
Haradinaj thotë se para votimit të ligjit për pagat në Kuvendin e Kosovë, do të angazhohen që të mirren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës.
Valmir Gashi, këshilltar i ministrit Bytyqi, thotë se ekziston një vullnet që të bëhet një ndryshim pozitiv.
Ai deklaron se i përkrahin kërkesat e sindikatës për rritje të koeficienteve, por që sipas tij, greva nuk është në dobi të procesit arsimor.
Grevën nuk e përkrah as Rinor Qehaja nga Instituti i arsimit “Edguard”.
Për KosovaPress, ai thotë se çdo veprim sindikal që pengon procesin arsimor, është i papranueshëm.
Instituti përkrah kërkesën e edukatorëve për rritje të pagës, ndërkohë vlerëson një rishikim të nivelit të pagave për të gjithë mësimdhënësit, por që kjo të ndërlidhej me performancë të tyre, sikur që është për të gjithë shërbyesit civil.
Edhe Këshilli i Prindërve, përmes një komunikate për media, ka kundërshtuar grevën, duke thënë se po pësojnë nxënësit me humbje të mësimit.
Këshilli ka ftuar SBASHK-un të heq dorë nga greva, ndërkohë që nga Qeveria ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Grevat/Kosovapress/