18 mijë të rinj aplikojnë për afër 300 vende në Polici

Rreth 18 mijë të rinj kosovarë kanë aplikuar për pranim në Policinë e Kosovës. Prej gjithë këtyre aplikantëve, vetëm afër 300 persona të do të kenë mundësinë për të shkuar në akademinë policore. 

Ka gati 2 javë qëkur është mbyllur konkursi për pranimin e zyrtarëve policorë në Polici të Kosovës. Numri i aplikimeve ka qenë jashtëzakonisht i lartë, në krahasim me numrin e atyre që do të pranohen në Polici, për të kryer akademinë policore, para se të vishen me uniformë.

Gazeta Express merr vesh se numri i aplikacioneve që janë dërguar në Polici, në të gjitha rajonet e Kosovës, nga 16 prilli i këtij viti kur është hapur konkursi deri më 10 maj kur ka përfunduar, është rreth 18 mijë persona.

Vetëm afër 250 deri në 300 prej tyre do të kenë mundësinë që të fitojnë një vend pune në Polici, si pjesëtarë të saj, pasi të kenë kryer akademinë.

Por, nga gjithë këta aplikues, në test me shkrim do të kenë mundësi të hyjnë vetëm ata që kanë plotësuar kriteret, pasi të jenë shqyrtuar aplikacionet nga ana e Policisë.

Në PK, të mërkurën nuk kanë dhënë shifra se sa është numri i saktë i aplikantëve, por vetëm kanë sqaruar procedurat e fazës pas aplikimit të të interesuarve për të qenë policë të ardhshëm të Kosovës.

“Pas përfundimit të të gjitha procedurave dhe shqyrtimit të të gjitha aplikacioneve, do të publikohet lista me numrin e kandidatëve që plotësojnë kriteret duke përcaktuar: data, vendi dhe koha e mbajtjes së testit me shkrim”, ka njoftuar Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, pas interesimit të Gazetës Express.

Tutje, ata sqarojnë se gjithashtu do të publikohet edhe lista e kandidatëve eventualisht të diskualifikuar.

“Pastaj komisioni përzgjedhës sipas procedurave të parapara vazhdon me shqyrtimin e ankesave eventuale”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.

Kriteret që është dashur të plotësojnë kandidatët që aplikojnë për zyrtarë policorë në Policinë e Kosovës, përveç se të jetë shtetas i Republikës së Kosovës kanë qenë edhe të jetë i moshës 18-30 vjeçarë; Të ketë të përfunduar shkollimin e mesëm; Të jetë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale; Të mos jetë i dënuar për ndonjë vepër penale; Të mos posedojë në vend të dukshëm tatuazh (fytyrë, qafë, duar); dhe Të ketë integritet personal dhe vlera të larta etike.

Të kualifikuarit do të hyjnë në test me shkrim, test të aftësive fizike; intervista; test psikologjik; kontrollim mjekësor; dhe verifikimi të së kaluarës.

Lini një Përgjigje