28 vjet nga rënia e Heroit,Fadil Vata

Sot bëhen 28 vjet nga rënia heroike e dëshmorit Fadil Vata, veprimtar i çështjes kombëtare i viteve të 80-ta, i cili u vra nga pushtuesi më 1990.
Ai është njëri nga veprimtarët dhe udhëheqësit më të devotshëm të Lëvizjes kombëtare shqiptare të viteve të 80-ta, i cili vdiq më 25 prill 1990, si pasojë e dhunës dhe torturave çnjerëzore që u ushtrua ndaj tij nga kriminelët serbë.
Kush ishte Fadil Vata?
Fadil Vata ka lindur më 10 janar 1962 në fshatin Sallagrazhdë të Therandës dhe rrjedh nga një familje atdhetare, e cila e bëri të nderuar dhe të respektuar. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen (gjimnazin) në Therandë. Ai ishte nxënës me sukses të dalluar. Qysh nga bankat e Shkollës së Mesme është futur në veprimtarinë atdhetare. Edhe pse në moshë të re, Fadili në vitin 1978 u angazhua në grupet ilegale që vepronin atëherë në komunën e Therandës. Në nëntor të vitit 1979 aktiviteti i tij politik u bie në sy organeve policore dhe për këtë arsye disa herë është marrë në pyetje dhe është keqtrajtuar, por asnjëherë nuk është frikësuar. Në vitin 1980 Fadilin me dhunë e dërgojnë në shërbimin ushtarak. Edhe atje nuk e ndalon aktivitetin e tij. Ai bie në sy eprorëve ushtarakë serbosllavë dhe më 2 maj 1981, pas ngjarjeve të marsit, të cilat i kishte përkrahur, arrestohet së bashku me Murat Bytyçin nga ana e organeve ushtarake dhe mbahet në paraburgim rreth 14 muaj dhe mbi 17 muaj i izoluar.
Më 1 mars të vitit 1982 nga Gjykata Ushtarake e Beogradit, Fadili dënohet me 6 vjet burgim vetëm për aktivitetin dhe bindjet politike. Për shkak të torturave të ushtruara ndaj tij, ai në burg fiton një sëmundje të rendë në mushkëri, e cila më vonë ishte fatale për jetën e tij të re. Edhe pse ishte i ri nga mosha, kishte një ngritje të lartë intelektuale, kishte diapazon të gjerë njohurish, sepse lexonte shumë (edhe sot familja e tij ruan me nostalgji bibliotekën e pasur të tij). Mbi të gjitha ai ishte i afërt me shokë, të cilët kurrë nuk i nënçmonte. Meqenëse përherë sëmundja ia kanoste shëndetin, ai dërgohet në Spitalin e Burgut të Pozharevcit dhe mandej edhe në CZ të Beogradit për t’u operuar. Aty edhe pse i operuar, mbahet për një kohë të gjatë lidhur për shtrati, sepse edhe ashtu ia kishin frikën. Pas dhjetë muajsh, ai dukshëm u përmirësua, por UDB-a serbe, duke pasur informata për aktivitetin e tij, bën eksperimente mbi trupin e Fadilit. Kështu UDB-a, gjatë kohës sa qëndroi në spital, kishte akorduar një bombë mbi trupin e Fadilit dhe përherë mjekët e spitalit, të dirigjuar nga ata, kanë vepruar me rreze rëntgeni dhe me laser, kinse në emër të shërimit. Rrezatimi dhe laseri ia kishin shkaktuar kancerin e pashërueshëm në boshtin kurrizor, i cili i kushtoi shumë për jetën e tij. Fadili pas vuajtjes së dënimit aspak nuk e ndali veprimtarinë e tij patriotike në shërbim të atdheut. Kështu, ai u regjistrua në Fakultetin Filozofik- në Degën e Filozofi-Sociologji, por edhe më shumë u aktivizua në luftën e tij për çështje kombëtare dhe i ndihmoi me të madhe lëvizjet popullore gjatë vitit 1988, kur populli ynë ngriti zërin e fuqishëm kundër politikës shoviniste serbe. Së bashku me Afrim Zhitinë dhe veprimtarë të tjerë, u bënë krahë i fort të grevës së minatorëve të vitit 1989 dhe ngjarjeve tjera. Ai dhe veprimtarët e tjerë të lëvizjeve popullore i dhanë karakter gjithëkombëtar dhe gjithëpopullor këtyre lëvizjeve, të cilat i përkrahën edhe shumica e popullit shqiptar të Kosovës. Fadili edhe pse lëngonte nga sëmundja e fituar në burg, dallohej për syçelëti. Për shkak të sëmundjes u detyrua të kërkojë shërim jashtë Kosovës dhe shkoi në Bazel të Zvicrës. Vrasja e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut ishte goditje e rëndë për Fadilin, sepse ata ishin shokët dhe veprimtarët e idealit të tij, të cilët i vrau dora e pushtetit serb më 2 nëntor 1989. Ky lajm për Fadilin ishte tepër i rendë, por edhe sëmundja e pashërueshme e keqësuan gjendjen e tij shëndetësore. Më 25 prill 1990 vdiq si pasojë e dhunës dhe torturave çnjerëzore që u ushtrua ndaj tij nga kriminelët serbë.
Fadil Vata mban titullin “Hero i Kosovës”, i cili iu dha nga presidentja Atifete Jahjaga më 28.11.2012.