8 Marsi- Dita Ndërkombëtare e Gruas

Sot shënohet 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas. Kjo është një ditë e festës globale për të gjitha gratë, vajzat, nënat e motrat në mbarë botën. Në rajone të ndryshme, kjo ditë festohet për të manifestuar respektin, vlerësimin dhe dashurinë ndaj grave, ndërsa në vende të tjera, rrugët e sheshet përfshihen nga protestat.

Kjo ngjarje zë fill më 8 mars 1857 në ndërmarrjen e tekstilit në Nju-Jork, ku  gratë u ngritën në protesta kundër kushteve  çnjerëzore të punës, orarit të gjatë të punës dhe pagave të ulëta.  Më vonë, në Kopenhagë të Danimarkës,  në një mbledhje,  ku morën pjesë 100 gra nga 17 vende të botës, u vendos të merreshin parasysh disa nga kërkesat e grave, por nuk u vendos data se kur duhej të kujtohej kjo ditë.

Fillimisht, kjo ditë manifestohej të dielën e fundit të shkurtit, por në vitin 1911, Danimarka, Gjermania, Zvicra dhe Austria, shënuan këtë ditë ku morën pjesë miliona burra dhe gra, ku përveç kërkesave të mëparshme gratë kërkuan edhe të drejtën e votës.

Përfundimisht, 8 Marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë, ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante. Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.

Për nder të kësaj dite, nënave dhe grave u jepen dhurata të ndryshme, ku dhurata më e shpeshtë është lulja, e cila ka simbolin e respektit dhe dashurisë.

Lulja më e shpeshta që dhurohet është Mimoza. Por, përse në 8 mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhurojmë mimoza?

Mimoza është një lule e verdhë, e gjallë dhe e gëzueshme dhe sipas traditës ka një kuptim të veçantë. Është një lule me origjinë nga Australia, por edhe në Evropë ka gjetur klimë ideale për t’u rritur dhe zhvilluar.

Lulet e saj klasike të verdha çelin në fund të dimrit dhe me ngjyrën e tyre të fortë, duke sjellë kështu më shumë dritë e rreze në pranverë. Sipas indianëve të Amerikës, mimozat personifikojnë forcën dhe feminitetin dhe për këtë arsye ajo u zgjodh si simbol i Ditës së Gruas. Por, ndryshe është tradita në Itali. Thuhet se mimoza është kthyer në simbol të grave, në vitin 1946, kur Unioni i Grave Italiane, kërkonte një lule që mund t’i dhurohej femrave me rastin e Ditës së Gruas. Mimoza ishte një nga lulet e pakta që çelnin në fund të shkurtit dhe fillim të marsit dhe po ashtu ishte më pak e kushtueshme. Kështu mimoza u bë simbol i Ditës së Gruas.

Redaksia e portalit “Fokusi.info” ua uron 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, të gjitha nënave, grave, vajzave dhe motrave , të cilat me shpirtin, dashurinë, sakrificat dhe përkushtimin e tyre, lartësojnë vlerat më të mira të shoqërisë dhe familjes shqiptare!