Buzhala: Jepini fund kësaj drame të panevojshme

Deputetë të Kosovës, ju nesër do të votoni ose në favor të ajatollahut Boiken Abazi, një person i dyshimtë nga Shqipëria, që pretendon se kujdeset për Kosovën më shumë sesa ju, më shumë sesa ne, ose do të mundë të votoni në favor të 2 milionë njerëzve që juve ju zgjodhën deputetë të Kosovës, me shpresën që ata do të jetonin më mirë, me shpresën që jeta e tyre do të ishte më e lehtë. Të tjerat i dimë të gjitha.

Për demarkacionin me Malin e Zi nuk ka më çfarë të thuhet e të mos tingëllosh i përsëritur qindra herë.

I kemi përmendur të gjitha! I kemi përmendur të gjithë!

I dimë hartat, edhe ato ushtarake edhe ato civile. I dimë pikat, edhe ato administrative edhe ato ndërshtetërore. I dimë kur janë vënë ato, kush i kanë vënë ato, dhe pse i kanë vënë ato. E dimë edhe kush e ka shtruar në asfalt rrugën për Kullë. E dimë edhe kush e ka mirëmbajtur atë rrugë kur binte borë e kur binte shi. I dimë edhe sa këngë janë kënduar për Çakorrin dhe çfarë thoshin ato këngë. E dimë tashmë edhe terminologjinë në gjuhën latine për librat kadastralë. E dimë edhe kuptimin e Uti Possidetis, të cilin nëse do të ma kishe përmendur para disa vitesh do t’i kisha ngritur supet me habi.

E dimë çfarë do të thuash nëse e fillon debatin duke thënë që raporti i Murat Mehës është i gabuar. I dimë argumentet që do t’i përdorësh për t’i mbrojtur qëndrimet tua. Edhe ti e di për mua. Nëse ti e mbron raportin e Bulliqit, unë e di se çfarë ke në mendje. Edhe ti e di se me çfarë arsenali do të të sulmoj unë.

E dimë që dikush nuk jep tokë për viza e e dimë që dikush tjetër thotë se nuk po jepet tokë për viza, ndërsa krejt dikush tjetër thotë: more bre edhe le të jepet tokë për viza vetëm le të dalim nga ky burg; po një tjetër, i lodhur e i mërzitur nga pritja e nga mungesa e shpresës, thotë që nëse Amerika thotë se Pejën duhet t’ia japim Malit të Zi ne duhet t’ia japim, derisa një radikal patriot këtë deklaratë të mësipërme e quan tradhti dhe të rëndë, sepse, sipas tij, Amerika nuk do të na bëjë asgjë, mjafton që ne të jemi seriozë dhe ta duam vendin tonë. E dimë që pastaj ky debat patjetër do të rrëshqasë në një kacafytje banale ballkanike, në mes të patriotëve dhe tradhtarëve. Ku ishte ti kur këtu po luftohej? Pse nuk po shkon ti në veri të vendit, nëse qenke kaq trim?

E çka tjetër nuk dimë ne?

I dimë edhe konkluzionet e Konferencës së famshme shkencore të mbajtur në Prishtinë, e para e kësaj natyre që nga ilirët e deri në ditët e sotshme, e që për shkak të rëndësisë dhe peshës së saj do të mundë dhe do të duhej, ta quanim edhe si Plenumi i shkencëtarëve të Kosovës, ku u mblodhën ajka e njerëzve të ditur, kokat e kombit, të prirë nga kryeshkencëtari Enver Hasani, i shoqëruar edhe nga Riza Smaka, ky i fundit duke kontribuar në gjithë këtë lëmsh më shumë në latinisht sesa në shqip.

E dimë që Isa Mustafës ia hëngër kokën demarkacioni. Që Ramush Haradinajn, kundërshtarin më të egër të kësaj teme, e solli në vendin e tij. E dimë që në radhët e LDK-së ishin disa që u rreshtuan krah Ramushit e kundër Isës. E dimë që të njëjtit sot do të mund të kenë ndryshuar mendje, sepse në atë kohë nuk po mbronin parime, por po frikësoheshin për kokën e tyre të zbrazët. E dimë gjithashtu – e kush nuk e di – që AAK-ja, ndonëse e pakompromis në këtë temë, i humbi zgjedhjet në Pejë, e që një gjë e tillë mund të interpretohej si flakaresh fytyrës për Ramushin. I dimë edhe gojëdhënat që Ramushi nuk po mbronte parime, por po mbronte ndonjë pronë të tij në ato territore. I dimë edhe gojëdhënat tjera, se këto pika të larta do t’i përdorë Amerika për t’i vendosur ose disa radarë të fuqishëm, ose disa armë të fuqishme, që do t’i përdorë kundër një Zot e di se kujt. Kokat e zgjuara, ato më analitiket, thonë se do t’i përdorë kundër Rusisë dhe Serbisë, ditën kur do të ndahen dhentë prej dhive dhe shapi prej sheqerit. Kush nuk e di që përgjegjësi kryesor i gjithë kësaj kakofonie është lartmadhëria i tij, Presidenti Hashim Thaçi! E dimë që sikur ky të kishte qenë më i vëmendshëm, sikur në atë kohë të kishte kërkuar konsensus politik, kjo temë do të ishte harruar dhe ne do të ishim duke lëvizur si evropianë të kulturuar në transversalen Romë – Paris – Berlin.

E dimë, gjithashtu, që ndoshta kur të votohet ky demarkacioni ne prapë nuk do të mundë të lëvizim askund përtej Velipojës dhe Shëngjinit. E dimë që Evropa është klub i shteteve të poshtra, që na ka tradhtuar sa herë që i është dhënë mundësia – kuptohet përveç viteve 1999 kur e bombardonte Serbinë pa reshtur për 78 ditë dhe vitit 2008 kur e njohu Kosovën si shtet të pavarur. E dimë që Gjermania është e mirë me ne, edhe Austria, edhe Zvicra, edhe Britania, edhe Holanda, edhe Çekia, edhe Sllovenia, edhe Italia…. Mirëpo, çuditërisht, kur bëhen bashkë, e kemi një bindje ne shqiptarët, Evropa nuk është e mirë. Shndërrohet në një shtrigë antishqiptare.

Përfundimisht ne e dimë që aneksi i marrëveshjes së fundit me Malin e Zi, i nënshkruar nga dy presidentët, nuk i kthen as Çakorrin e as Zhlebin, por që ishte një shpëtim fytyre prej krizës ku ishim futur. Ose, po ashtu, përfundimisht, e dimë që kjo marrëveshje i kthen këto dy pika brenda Kosovës.

Me një fjalë, tash pas tri vitesh debate të zjarrta, tri vitesh koktej molotovi dhe arrestime, pas tri vitesh kriza institucionale dhe juridike, ne dimë çdo gjë. Sa ta shoh një fytyrë të njohur në ekran unë e di çfarë do të thotë. Nëse ndodh që fytyra që e shoh në ekran nuk është e njohur, unë e di se çfarë do të thotë sapo ta nxjerrë tingullin e parë nga goja.

Prandaj, të nderuar deputetë, ju të koalicionit dhe opozitës, ju tradhtarë dhe patriotë, ju që e doni më pak dhe ju që e doni më shumë Kosovën, votojeni demarkacionin. Nuk kemi çfarë të themi më shumë për këtë temë. Kemi thënë shumë më shumë sesa kemi pasur për të thënë. Nëse këtë energji debatuese do ta kishim orientuar në tema të tjera, si, bie fjala, arsimi dhe shëndetësia, Kosova do të kishte filluar të dukej pak më ndryshe. Mund të ndodhë që Çakorri dhe Zhlebi do të mbesin përgjithmonë në Mal të Zi, mund të ndodhë që ato do të kthehen, por kjo tashmë e ka humbur çdo kuptim. Ne po humbim çdo gjë tjetër, duke provuar t’i mbrojmë 8000 hektarë.

Ju nesër do të votoni ose në favor të Boiken Abazit, një person i dyshimtë nga Shqipëria, që pretendon se kujdeset për Kosovën më shumë sesa ju, ose më shumë sesa ne, ose do të mundë të votoni në favor të 2 milionë njerëzve që juve ju zgjodhën deputetë të Kosovës, me shpresën që ata do të jetonin më mirë, me shpresën që jeta e tyre do të ishte më e lehtë. Tash e tri vjet një gjë e tillë vetëm është përkeqësuar. Prej Rusisë e deri në Spanjë, të vetmit qytetarë që nuk mund të lëvizin të lirë në kontinentin evropian jemi ne dhe bjellorusët.

Jepini fund kësaj drame të panevojshme.

 

Lini një Përgjigje