Cili ishte pozicioni i ndërmarrjeve shqiptare në Itali

Sipërmarrësit shqiptarë në Itali, në fillim të vitit 2017, ishin 41.153 me një përqindje prej 6,1% në listën e sipërmarrësve të huaj. Të botuara nga Raporti i Fondacionit Leone Moressa “Rapporto 2017 sull’economia dell’immigrazione”, prezantuar në tetor të 2017-s, të dhënat ndryshojnë disi nga ato të qendrës studimore Idos, sipas së cilës ndërmarrjet e drejtuara nga shqiptarët, në të njëjtën periudhë, e kalonin shifrën 33.300, me një peshë prej 6,9% midis ndërmarrjeve të vogla të të huajve në Itali, shkruan shqiptariiitalise.com. Të dyja burimet u japin vendin e katërt shqiptarëve, pas marokenëve, kinezëve dhe rumunëve.

Ndryshimi i të dhënave mund të shpjegohet me faktin se Raporti Idos “Imprenditoria e Immigrazione 2017”, analizon vetëm ndërmarrjet individuale, meqë përmbajnë pjesën më të madhe të sipërmarrësve të huaj  por nuk i përfshin të gjithë. Idos jep gjithashtu të dhëna që shkojnë përtej fotografisë së situatës aktuale të ndërmarrjeve shqiptare. Falë tyre mund të vrojtohet ecuria në kohë e aktiviteteve sipërmarrëse, duke filluar nga viti 2008, i cili shënoi edhe fillimin e krizës ekonomike.

Imprenditoria shqiptare vijon të jetë shumë e pranishme në sektorin e ndërtimit. Megjithatë diçka ka ndryshuar me kalimin e kohës, edhe pse në përmasa modeste. Në vitin 2006 sipërmarrësit shqiptarë në ndërtim përbënin 82,2% të totalit dhe më 2014 kapnin përqindjen 75,8%. Në fund të vitit 2016 pothuajse shtatë sipërmarrës në dhjetë punojnë në ndërtim (71,7%). Kjo ulje progresive në vite duhet parë edhe në këndvështrimin e krizës, që ka prekur thellësisht sektorin në fjalë

Njëkohësisht, gjatë viteve të fundit, vihet re rritja në sektorin e shërbimeve, që përmbledh mbi një të pestën e sipërmarrësve të vegjël shqiptarë. Në fillim të krizës, në vitin 2008, rezultonin 12,7%, në fund të 2016 shifra pothuajse është dyfishuar (21,1%). Brenda kësaj shifre dalin në pah disa të dhëna interesante siç është tregtia (7,1% kundrejt 4,4% në vitin 2008), hoteleri e restorante (4,4%, por në vitin 2008 ishte 1,8%), dhe shërbimet ndaj ndërmarrjeve (4,0% kundrejt 2,4% më 2008). Megjithëse në shifër absolute duket e vogël (2,4%), prania aktuale e sipërmarrësve shqiptarë në bujqësi ka shënuar rritje të jashtëzakonshme nga fillimi i krizës (+173,8%), shkruan shqiptariiitalise.com.

Siç edhe mund të merrej me mend, numri më i madh i sipërmarrësve shqiptarë gjendet në Lombardi, ku ushtrojnë aktivitetin e tyre një e pesta e ndërmarrjeve shqiptare (19,3%). Megjithatë prani të fortë ka edhe në krahina të tjera si: Toskana (17,1%), Emilia Romanja (14,6%), Piemonte (10,9%) e Liguria (9,6%). Në krahasim me komunitetet e tjera shqiptarët dallohen në krahinat e mëposhtme, pothuajse të gjitha në veri: Liguria (18,0%), Umbria (13,0%), Trentino Alto Adixhe (12,6%), Toskana (12,1%) e Emilia Romanja (11,6%).

Për sa i përket moshës, raporti Idos nënvizon praninë e fortë e sipërmarrësve nën 35 vjeç (35,8% të totalit), por shumicën e kanë ata me moshë 36-50 vjeç, të cilët prekin shifrën 50,9%. Ndërmarrjet që menaxhohen prej tyre janë krijuar kryesisht në vitet 2000 – 2007 (rreth 30,3%), megjithëse kuota më e madhe i takon periudhës pas vitit 2008 (62,0%). Pjesa e parë mund të interpretohet me konsolidimin e komunitetit shqiptar dhe rritjen e tij në lëmin e sipërmarrjes, kurse pjesa tjetër mund të lidhet me krizën ekonomike, që i detyroi shumë shqiptarë të punësuar të krijonin ndërmarrjet e tyre individuale, pra të vetëpunësoheshin. Kjo ka ndodhur kryesisht në sektorin e ndërtimit, ku shumë punëtorë kanë hapur ndërmarrje individuale pasi kanë dalë nga ndërmarrje më të mëdha, por për të cilat kanë vijuar të punojnë si të vetëpunësuar në forma të ndryshme.

Po prania e grave shqiptare në ndërmarrjet që punojnë në Itali? Gratë sipërmarrëse përbëjnë 10,8% të numrit të përgjithshëm, pra rezulton një prani modeste, megjithëse duhet regjistruar pozitivisht një tendencë në rritje e tyre. Në fakt, numri i grave shqiptare në ndërmarrjet individuale lëviz me ritme tejet të shpejta: +88,6% nga viti 2008.

Po t’i kthehemi raportit të Fondacionit Leone Moressa do të nënvizonim një  të dhënë të përgjithshme:  në rreth 6 milionë ndërmarrje në Itali që ushtronin veprimtarinë e vet gjatë vitit 2016, më shumë se 675 mijë drejtohen nga njerëz që janë lindur jashtë vendit. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve (94,2%) drejtohet ekskluzivisht nga imigrantët, çka tregon se nuk ka shumë ndërveprim me autoktonët. Sipërmarrësit shqiptarë nga viti 2015 janë rritur me 3,4%, por nuk i kapin kurrsesi shifrat e rritjes se imigrantëve nga Bangladeshi (+6,1%), Pakistani (+9,9%) ose India (+10,8%).

Karakteri dinamik i ndërmarrjeve të huaja del në pah nga të dhënat e ndërmarrjeve të krijuara dhe atyre të mbyllura: ndërmarrjet autoktone kanë ulje kurse ato që drejtohen nga imigrantë kanë rritje. Megjithatë, nuk mungojnë pikat kritike që i pengojnë sipërmarrësit e huaj, përfshirë shqiptarët, të kalojnë në nivele më të larta, çka do të thotë në ndërmarrje më të strukturuara e më të mëdha. Mund të përmenden këtu vështirësitë burokratike, problemet për marrjen e kredive, taksat e rënda, por edhe mungesa e organizimit, e përditësimit dhe e politikave që mund t’i ndihmonin sipërmarrësit e huaj për t’i përforcuar pozicionet e tyre në treg.

Roli i ndërmarrjeve të drejtuara nga sipërmarrës të huaj është jetik për indin socioekonomik italian. Ato i japin energji të reja vendit, sidomos po të merren parasysh kushtet e vështira nga të cilat e nisin veprimtarinë e tyre dhe ecurinë e ndërmarrjeve italiane të cilat po reduktohen në numër, edhe pse jo me ritmet e dikurshme. Nga ana tjetër, rritja e konsolidimi i këtyre ndërmarrjeve dëshmon se migrantët arrijnë t’i lexojnë transformimet ekonomike duke u dhënë jetë dinamikave ekonomike me potenciale pozitive.

Jo vetëm kaq. Të mirat e ndërmarrjeve të krijuara nga të huajt kanë të bëjnë me punësimin, me lindjen e shërbimeve të reja, që fillimisht u drejtohen bashkëkombësve, por pastaj u shtrihen edhe të tjerëve. Së fundi, por jo nga rëndësia, është mundësia që ofrojnë këto ndërmarrje për realizimin e lidhjeve me vendet e origjinës nga ku mund të vijnë investime e të lindin bashkëpunime të reja, çka merr rëndësi të veçantë në epokën e globalizimit.