Cyrihu teston autobusin pa shofer

Në disa qytete të Zvicrës janë bërë disa prova me autobusë pa shofer. Edhe Cyrihu si metropoli më i madh i Zvicrës ka vendosur të provojë një mundësi të tillë.

Aktualisht qyteti i Cyrihut është duke e testuar një autobus të vogël elektrik i cili gjatë dy javëve të ardhshme do të qarkullojë në kuadrin e linjave të Ndërmarrjes së Trafikut Publik të Cyrihut (VBZ). Linja ku do të lëvizë autobusi me emrin “Self-e” është e gjatë gjithsej 1.3 kilometra dhe përfshin pesë stacione.

Vështirësitë me të cilat do të ballafaqohet “Self-e” në një qytet si Cyrihu, janë orientimi në trafikun e këtushëm dhe në veçanti kalimi i shinave të tramvajëve, thonë nga VBZ, shkruan SDA.ch.

Sidoqoftë, as ky autobus “pa shofer” nuk do të lëshohet në qarkullim krejtësisht pa mbikëqyrje, transmeton albinfo.ch. Në fillim në autobusin në fjalë do të jetë edhe personeli i shkolluar përcjellës. Ky personale do të ndërhyjë në rastet kur “Self-e” nuk ia del me pengesat që i paraqiten.

Autobusi drejtohet me GPS dhe me skanerë të ndryshëm laserikë si dhe kamera, në mënyrë që të mund t`i identifikojë rreziqet dhe të parandalojë ndeshjet.

VBZ e Cyrihut këtë makinë e la marrë “hua” nga ndërmarrja simotës e Schaffhauzenit, përcjell albinfo.ch. Edhe atje, duke filluar nga marsi, një autobus i tillë, pa shofer do të transportojë udhëtarët deri në Rheinfall.