Kategorizimi i politikanë-hajdutëve

0
6
Shkruan: Gëzim Saraçi
Në Kosovë, politikanë-hajdutë ka shumë. Secili politikan-hajdut vodhi e vjedh në mënyrën e tij, por që secili i takon një kategorie e cila e veçon. Kryesisht, kategorizimi i këtyre hajdutëve mund ty bëhet në dy grupe kryesore:
1. Politikanë-hajdutët që burimin e kanë nga pacifizmi (me nëngrupet e tyre) dhe
2. Politikanë-hajdutët që burimin e kanë nga lufta (me nëngrupet e tyre).
Shpeshherë, ndër biseda me qytetarë, më ka rastisur të dëgjoj diskutime në lidhje me atë se; më shumë kanë vjedhur “ata” apo “këta”, nga të cilat diskutime shpesh nxirreshin përfundime se: ata që “vërtetohej” se kanë vjedhur më pak, janë më të ndershëm sesa ata që “vërtetohej” se kanë vjedhur shumë.
E unë them: – Ai që vjedh pak, kur është në pyetje më shumë edhe vret. E ata që vjedhin shumë, vjedhin edhe më shumë, vjedhin edhe më shumë, edhe më shumë, edhe më shumë…
Edhe këta që vjedhin shumë, shumica prej të cilëve janë politikanë-hajdutë, vrasin, por jo në mënyrën e atyre të parëve. Këta vjedhin derisa të bëjnë që të vrasësh veten, nga pamundësia për të jetuar. Sepse këta varfërojnë gjithë popullin.
Pra, hajdutët, si ata të pacifizmit, si ata të luftës, secilët “n’takatë të tyre” janë hajdutë që “kontribuojnë” aq sa munden në shtetin tonë.
Çerdhja më e përshtatshme e hajdutërisë, prej kohësh u bë politika.
Përmes politikës hajdutët arritën dhe po arrijnë çdo ditë e më shumë ta ushtrojnë profesionin e tyre të vetëm, politikë-hajdutërinë.
Përmes proceseve “politike” të privatizimeve, punësimeve, subvencionimeve, “verifikimeve”, “hetimeve” e shumë proceseve të tjera të ngjashme, politikanë-hajdutët arritën dhe po arrijnë gjithnjë e më shumë qëllimet.
Përmes “politikës” ata arritën të zënë pozita të larta në institucione; si në ato lokale, edhe më shumë në ato qëndrore, kjo për shkakun se atje përfitimi ishte më i madh.
Por, cili është roli i qytetarëve në ndaljen e kësaj të keqeje që po i bëhet vendit tonë?
A po i kundërshtojnë qytetarët mjaftueshëm këto të këqija?
Mos vallë, edhe qytetarët janë hedhur në valle, me shpresë se diçka mund të pikë edhe për ta?
Apo ndoshta, ata presin se gjendja do të ndryshoj vetëvetiu?!
Zoti na ndihmoftë!
Megjithatë, nuk besoj se do t’na e bëjë Zoti këtë shërbim, derisa ne rrimë duarkryq.