Klinaku: LB e ka shtruar çështjen e bashkimit të Kosovës me Luginën e Preshevës qysh moti

Avni Klinaku, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, ka thënë se LB e ka shtruar çështjen e bashkimit të Kosovës me Luginën e Preshevës qysh moti.
Ai thotë se më 2009 kanë hartuar edhe platformë për këtë çështje, të cilën ia kanë prezantuar edhe kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçit.
“Kohëve të fundit, edhe presidenti Thaçi ka filluar të flasë se gjoja në tavolinën e bisedimeve do të shtrohet çështja e Kosovës Lindore. Më 2012, kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, na ka ftuar të jemi pjesë e bisedimeve, dhe kemi pranuar pa hezitim me kushtin e vetëm që Kosova Lindore të jetë pjesë e këtyre bisedimeve”, ka thënë Klinaku në Interaktiv të KTV-së.
“Thaçi, në fillim u pajtua plotësisht për të shtruar çështjen e Kosovës Lindore si dhe çështjen e tri komunave veriore të Kosovës në bisedime. Kemi kërkuar që bashkërisht me të gjitha forcat politike të hartojmë platformë. Kjo nuk ndodhi sepse, arsyetimi i Thaçit ka qenë se ndërkombëtarët nuk na kanë lejuar një gjë të tillë”, shtoi Klinaku.
Zyrtari i LB-së thotë se deklaratat e presidentit Thaçi në lidhje me korrigjimin e kufijve e herë në lidhje me bashkimin e Luginës me Kosovën, janë të mjegullta.
“Fjalori i presidentit Thaçi është shumë i mjegullt, herë thotë korrigjim, herë bashkim”, theksoi Klinaku.
Ai thotë se gjatë hartimit të platformës kanë pasur parasysh shumë faktorë. “Faktorin Kosovë, ndërkombëtar, faktorin Serbi, dhe jemi përpjekur t’i harmonizojmë të gjitha kërkesat, dhe kemi ardhur në përfundimin se tri komunat në Kosovën Lindore janë të barasvlershme me tri komunat në veri. Kemi kërkuar reciprocitet në të drejta mes tyre, e jo shkëmbim territori”, tha ai.
“Mitrovicën nuk mund ta masim me asnjë pjesë të Serbisë”, shtoi ai.
Ndërkaq, Klinaku thotë se deklaratat e presidentit Thaçi nuk janë serioze dhe janë të kontestueshme.
“Seriozitetin e këtyre deklaratave e kontestoj me faktin se nuk po niset nga ajo që është e pranueshme nga të gjithë, por po thotë diçka që është e efektshme për të gjithë. Po të kërkonte të drejta të njëjta mes komunave në Luginë dhe komunave në veri, kjo s’do të ngjallte polemika fare. Mënyra se si po e shtron këtë çështje Thaçi është e kontestueshme”, deklaroi Klinaku i LB-së.
Sipas tij, mos-serioziteti i presidentit Thaçi shkon edhe më tej.
“Kur nuk po mundet të zgjidh çështjen e veriut, nuk e di se si do ta marrë Luginën”, tha Klinaku.
Ai thotë se referendumi i përmendur nga Thaçi ka të bëjë me marrëveshjen e mundshme të arritur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Interesi i Serbisë është që sa më parë të përfundojë këtë çështje për të avancuar në integrimet evropiane. Interesi i Kosovës është se vendi bëhet shtet i vërtet, sovran dhe serioz”, tha ai.