KMDLNJ i reagon Hahnit dhe Mogherinit: Po luani lojë të pandershme

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj deklaratave të komisionerit Johannes Hahn dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të komisarit Johannes Hahn sa i përket çështjes së taksës e po ashtu edhe çështjes së iberalizimit të vizave.
Përmes nj njoftimi për media,KMDLNj thotë se Hahn nga pozita e një lobisti po mbron interesat e Serbisë.
Sipas tyre sikurse Johannes Hahn po ashtu edhe Federica Mogherini, janë duke vallëzuar në një lojë të pandershme duke tentuar që në themelet e vuajtjes dhe fatkeqësisë së qytetarëve të Kosovës të ndërtojnë karrierat për të pasuruar CV-në e tyre.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së :
Johannes Hahn, gjysma e dytë e mashtrimit 100% për qytetarët e Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave, nga pozita e një lobisti që mbronë interesat e Serbisë, deklaroi se është në pritje që Qeveria e Kosovës, urgjentisht t’a hjek masën tarifore prej 100 % për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe në këtë shantazhim është faqja tjetër e Federica Mogherinit, shefe për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së.
Federica Mogherini dhe Johannes Hahn përfaqësojnë Janusin apo dyftyrësinë, si model për zgjidhje të problemeve por në një anim flagrant në dobi të Serbisë dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës. Ndonëse mandati i tyre përfundon në fund të vitit 2019 ata, së bashku po vallëzojnë në një lojë të pandershme duke bërë përpjekje që në themele të vuajtjeve dhe fatkeqësisë së qytetarëve të Kosovës, të ndërtojnë karrierat e tyre dhe të pastrojnë apo pasurojnë CV-të e tyre.
Deri më tani Mogherini dhe Hahn kanë kërkuar heqjen e taksës 100% apo suspendimin e saj kurse tani, kërkesa e tyre shantazhuese ka përshkallëzuar në një nivel tjetër; kërkohet që kjo taksë të hiqet me urgjencë!!! E jo të shqyrtohet heqja e taksës duke e respektuar një vendim të Qeverisë.
Frederica Mogherini dhe Johannes Hahn duhet ta kenë të qartë se masa tarifore 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja nuk mund të hiqet me deklarata të papërgjegjshme të presidentit Thaçi dhe kryetarit të Prishtinës, kryetar i PSD dhe bashkëkryesues i Ekipit Negociator, Shpend Ahmeti sepse nuk është në kompetencë apo autoritet të tyre. Masën tarifore prej 100% mund dhe mbase, pas një kohe do ta suspendojë vetëm Qeveria e Kosovës që edhe e ka caktuar atë masë, nëse në ndërkohë krijohen kushte për të.
Këmbëngulja dhe kërcënimi që me urgjencë të hiqet kjo masë nga burokratët e BE- së, të cilët i kanë “ burgosur” 2,000.000 qytetarë të Kosovës në një geto si ato të sovetos në Afrikën e Jugut, janë kundër çdo vlere demokratike, janë kundër parimeve të humanizmit dhe në mënyrë flagrante i shkelin të drejtat elementare të njeriut që garantohen me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut e KB si dhe konventat evropiane për të drejtat e njeriut.
Nëse liberalizimi i vizave kushtëzohet me arritjen e një marrëveshjeje “historike” midis Kosovës dhe Serbisë përmes “korrigjimit të kufijve” apo ndërrimit të terrritoreve me zhvendosje të popullatës në baza etnike që po e promovojnë Thaçi e Vuçiq e që po e përkrahin Mogerini e Han , atëherë po i hapet dera një konflikti tjetër në Ballkan, me pasoja ndoshta edhe më të rënda së në luftën e fundit aq më parë që është rritur potenciali ushtarak dhe ai luftarak (armatimi) dhe se rasti i Kosovës nuk do të mund të trajtohet si rast i ndarë apo i izoluar por, pashmangshëm do të prodhojë efektin domino. As Thaç e as Vuçiq nuk kanë kapacitet e as kredibilitet ta zbatojnë një marrëveshje që luan me kufinjë apo ta menaxhojnë krizën e paevitueshme.
Madje, i tërë mllefi dhe pakënaqësia do të zbrazet mbi Thaçin dhe Vuçiqin prandaj KMDLNj nuk e sheh asnjë zgjidhje afatgjate jashtë kufinjëve ekzistues  që nënkupton se asnjëri shtet nuk duhet të ketë pretendime territoriale ndaj shtetit tjetër prandaj, pohimi se do të merret Lugina e Preshevës pa dhënë asgjë është mashtrim ordiner dhe zhvendosje e vëmendjes nga problemet më të mëdha me të cilat përballen këto dy shtete.
Nëse mungesa e rezolutave në luftë kundër korrupcionit është arsyeja e mosliberalizimit të vizave atëherë përgjegjësia është edhe e BE-së sepse, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupcionit ka qenë përgjegjësi ekskluzive e ndërkombëtarëve. Tash, ndërkombëtarët , duke përdorur standarde të dyfishta thonë se kemi politikanë të korruptuar në ndërkohë që me ta janë takuar rregullisht, janë përqafuar dhe puthur para medieve dhe i kanë forcuar rregullisht në rast se kanë vlerësuar se fuçia politike e tyre është në rënie.
Krejt në fund, komisionari i BE- së Johanes Han ka deklaruar se po e pret një përgjigje urgjente për heqjen e taksës tarifore prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja , si kusht për vazhdimin e bisedimeve që e thotë edhe i mbrojturi i tyre, Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.
Po edhe ne, qytetarët e Kosovës jemi në pritje të një përgjigje nga ju z. Han për liberalizim të vizave!?
Ju keni deklaruar se koha optimale apo e mundshme për liberalizim të vizave për qytetarë të Kosovës është viti 2020.
Atëherë , keni durim edhe ju edhe Frederika Mogerini sepse , mbase , deri në vitin 2020 edhe Qeveria e Kosovës do ta heqë masën tarifore prej 100%. Mundet edhe më herët nëse Serbia sillet si një shtet normal dhe kur ju nuk do të jeni në pozitë të bëheni makro – politik i Serbisë dhe Aleksandar Vuçiq.