Kompanitë kosovare i befasojnë ato gjermane

Në “IMM”, kompanitë kosovare po prezantojnë produktet e tyre, si: kuzhina, dhoma të fjetjes, divanë, tryeza, karrige dhe elemente të ndryshme për enterier.

Kompanitë Palma, Albed dhe Berto po marrin pjesë në panairin “IMM” në Këln të Gjermanisë, që mbahet në datat 15-21 janar 2018, shkruan albinfo.ch.

Në “IMM”, kompanitë kosovare po prezantojnë produktet e tyre, si: kuzhina, dhoma të fjetjes, divanë, tryeza, karrige dhe elemente të ndryshme për enterier.

I befasojnë kompanitë gjermane

Arieta Vula-Pozhegu, drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës thotë se kompanitë kosovare me produktet e tyre kanë befasuar ato gjermane.

“Sot nga “Design Selection”, kompania kosovare “Albed” mori çmimin për dizajnin më të mirë 2018. Është një emocion për ne, po ashtu edhe si Kosovë, që kompanitë kosovare kane arritur standard të lartë dhe që vlerësohet lart nga Panairi më i madh i mobilierisë në Evropë”, ka thënë Vula-Pozhegu për albinfo.ch.

Gjithashtu të tria kompanitë Palma, Berto dhe Albed, gjatë dy ditëve të panairit kanë pasur vizita interesante dhe presin konkretizim të marrëveshjeve.

Prodhime vendore

Kompanitë kosovare janë vizituar nga MTI dhe KIESA. Po ashtu nga diaspora kemi vazhdimisht të pranishëm dhe të interesuar për bashkëpunim. Shtetet e interesuara për bashkëpunim deri më tani kanë qene Gjermania, Arabia Saudite, Austria, etj, thonë përfaqësues të kompanive kosovare.

“Ne, kompania Albed kemi prezantuar fuqishëm Kosovën. Me produktet tona “Made in Kosova”, ju treguam të pranishmëve se edhe ne jemi në rrugëtimin drejt Evropës”, thotë Miftar Veseli, menaxher i kompanisë.

Interesim i madh për kuzhina

Për Bashkim Krasniqin, pronar dhe drejtor në “Ciao Berto” pjesëmarrja është shumë e rëndësishme për promovimin e prodhimeve kosovare në Gjermani .

“Ciao Berto merr pjesë në panairin “IMM Cologne 2018″ me një sipërfaqe prej 100m2 (katror), ku kemi pasur mundësi të ekspozojmë shumëllojshmëri të produkteve, përkrah brendeve më të mëdha botërore. Interesimi më i madh i vizitorëve ka qenë tek kuzhinat, të cilat i kanë shumë mbresa për nga dizajni modern, dhe shumë praktikë në përdorim. Kemi pasur po ashtu komente shumë të mira për dyer e dritare”, theksoi Krasniqi.

Marrëveshjet konkrete

Edhe drejtori gjeneral i kompanisë Palma, Ekrem Shahini, theksoi se jo vetëm kanë marrë pjesë, por edhe kanë arritur të realizojnë marrëveshje konkrete. “Realisht përveç kontakteve shumë serioze me kompani prestigjioze gjermane, zvicerane, austriake, holandeze, angleze, kemi bërë edhe kontrata konkrete të shitjes. Për çka po marrim lëvdata dhe komplimente nga klientët dhe vizitoret tanë, për cilësinë dhe seriozitetin, që e përfaqëson Mobilieria “Palma” në mesin e prodhuesve me prestigjioz evropian. Marrëveshjet konkrete të mbyllura për këto dy ditë janë me Afrikë dhe Azi, në këto dy kontinente shumë me rëndësi dhe një befasi për ne.”, deklaroi Shahini për albinfo.ch./ Albinfo.ch/