Kosnet dhe Skot: Është koha për marrëveshje

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet (Philip Kosnett) dhe ai amerikan në Serbi, Kajl Skot (Kyle Scott ), përmes një teksti autorial, kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut dhe të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse historike. “Nëse të dy palët nuk e shfrytëzojnë këtë shans, rrezikojnë të humbin rastin për një gjeneratë të tërë”, shkruajnë Skot dhe Kosnet.
“Është koha që Kosova të heqë taksën dhe që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive. Është koha që Beogradi dhe Prishtina t’i kthehen dialogut që po udhëhiqet nga BE dhe që të dyja palët të përcaktohen për paqe afatgjate”. Kështu thuhet në tekstin autorial të përbashkët, të shkruar nga ambasadori amerikan në Serbi, Kajl Skot, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet, për gazetën “Politika” në Beograd dhe gazetën “Zëri” në Prishtinë.
“Nëse veproni kështu, jemi optimistë se marrëveshja historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, do të arrihet më 2019”, shprehen mes tjerash Kosnet dhe Skot në tekstin e përbashkët autorial.
“Për këtë, Kosova dhe Serbia do ta kenë mbështetje e plotë të SHBA-së për formësimin dhe zbatimin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thonë Kajl dhe Kosnet.
“Natyrisht një udhëheqësi politike e kthjellët dhe me vizion mund të sjellë te kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ku në epiqendër të saj do të ishte njohja e ndërsjellë”, thuhet aty, ndërsa shtohet se “ky sukses do të ishte bazë për një ardhmëri dhe përparim për të gjithë popujt dhe rajonin.”
Kosnett dhe Skot, gjithashtu përmendin letrën e presidentit Trump, e cila sipas tyre “është në funksion të arritjes së kësaj marrëveshjeje dypalëshe gjithëpërfshirëse dhe historike”.
Ata citojnë letrën e presidentit  Trump ku thuhet se “do të ishte për keqardhje të humbet ky rast i veçantë për paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik”, ndërsa kujtojnë ftesën që presidentit Trump për presidentët  Thaçi dhe Vuçiq, që këtë sukses ta kurorëzojnë në Shtëpinë e Bardhë.
“Besojmë se marrëveshja është e mundur dhe do ta festojmë së bashku me ju, ashtu siç po festojmë guximin e treguar nga udhëheqësit grekë dhe maqedonë”, thuhet në tekstin autroial.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë dhe nuk do të predikojnë se si do të duket kjo zgjidhje, por besojnë se ajo do të duhej të zbatohet si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia dhe se ajo duhet të sjellë stabilitetin afatgjatë në rajon”, porosisin në tekstin e tyre autorialë të dy ambasadorët amerikanë: Kajl Skot dhe Filip Konet, transmeton RTKlive

“Nëse të dy palët nuk e shfrytëzojnë këtë shans, rrezikojnë të humbin rastin për një gjeneratë të tërë”, thonë Skot dhe Kosnett.