Kosova e mposht Serbinë në tavolinë

Përfaqësuesja U-20 e Kosovës në hendboll për femra, e ka fituar me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Serbisë.

Ishte Qeveria e Serbisë që mori vendimin që të ndalojë zhvillimin e ndeshjes duke iu referuar “çështjeve të sigurisë”.

Ndeshja është dashur të luhet në Qendrën Sportive “Kovilovo” në afërsi të Beogradit. Në kohën kur përfaqësuesja jonë po bëhej gati për ndeshje, u bë i ditur vendimi që ndeshja nuk zhvillohet.

“Atmosfera në përfaqësuese është shumë e mirë, vajzat janë të qeta, komode dhe në disponim. Sigurimi në këtë qendër është në nivel të lartë dhe nuk ka ndonjë shqetësim për sigurinë e vajzave”, thuhet në njoftimin për media të FHK-së.

Ndërkaq, trajneri i Serbisë në hendboll, Veselin Vujoviq e ka pranuar se Serbia e ka humbur Kosovën si shtet. Trajneri serb është irrituar me anulimin e ndeshjes ndaj Kosovës duke thënë se është dashur që loja të zhvillohej.

“Pavarësisht përpjekjeve, ne Kosovën si shtet e kemi humbur. Na lejoni të futemi në fushë, të luajmë dhe të fitojmë. Nuk mbrohet Kosova nga një kafene e Çaçakut me këngët “Oh, Kosova”. Nuk mbrohet nga Serbia, por duke shkuar atje poshtë. Nuk do të ketë kurrë një referendum të ri dhe ju duhet të pranoni gjërat ashtu siç janë”, tha Vujoviç.