Ky është rekordi i ri i Ronaldos

Ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, e vazhdoi formën e tij të mrekullueshme në ndeshjet finale duke e shënuar golin e vetëm në ndeshjen e mbrëmshme kundër Milanit, të vlefshme për Super Kupën e Italisë.

Goli i shënuar me kokë nga Ronaldo në minutën e 61-të ishte kontravers, mirëpo ia siguroi Juventusit fitoren me rezultat 1-0 në stadiumin King Abdullah Sports City të Arabisë Saudite, transmeton Gazeta Express.

Ky gol ia siguroi edhe Ronaldos trofeun e tij të parë me Juventusin. Portugezi tanimë ka arritur t’i shënojë plot tetë gola në shtatë finalet e fundit që i ka zhvilluar.

33-vjeçar ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm për skuadrën e Real Madridit, që arriti t’i fitojë tri tituj radhazi të Ligës së Kampionëve. Ai i kishte shënuar dy gola në tri finalet e fundit të Ligës së Kampionëve me madrilenët.

Përveç këtyre finaleve në Ligën e Kampionëve, Ronaldo kishte shënuar edhe kundër Barcelonës në Super Kupën e Spanjës në vitin 2017 dhe i kishte shënuar plot katër gola në dy finalet e Kupës së Botës për Klube, në vitin 2016 kundër Kashima Antlers dhe në vitin 2017 kundër Gremios.

Triumfi i mbrëmshëm në Super Kupën e Italisë ia dha trofeun e parë të këtij sezoni “Zonjës së Vjetër” dhe Ronaldos, i cili ka arritur t’i shënojë gjithsej 16 gola në të gjitha ndeshjet e zhvilluara këtë sezon.