LVV po merr pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste të Francës

Lëvizja Vetëvendosje njofton se Kryetari dhe sekretari  i saj po marrin pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste të Francës. 
Njoftimi i plotë:
“Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, po marrin pjesë si të ftuar, bashkë me shumë delegacione të tjera ndërkombëtare të partive socialdemokrate, në punimet e Kongresit të 78 të Partisë Socialiste të Francës që po mbahet këtë fundjavë në Aubervilliers, Paris.
Kongresi do të shpalosë raportet e aktiviteteve, të vendosë për linjat e reja të orientimit politik të partisë, të diskutojë mbi rilindjen e së majtës evropiane si dhe do të prezantojë rezultatet e zgjedhjeve të brendshme për Sekretar të Parë, që kanë nxjerr fitues z. Olivier Faure. Lëvizja VETËVENDOSJE! i uron suksese z. Faure në drejtimin e Partisë Socialiste të Francës.
Me përfundimin e punimeve të Kongresit, ditën e hënë, në ora 10:00, Kryetari Albin Kurti do të mbajë edhe një prezantim publik në Paris në Fondacionin “Jean Jaurès” mbi situatën politike dhe ekonomike në Republikën e Kosovës”.
7 prill 2018
Lëvizja VETËVENDOSJE