Majlinda Bregu zgjedhet sekretare në Këshillin Rajonal të BE-së

Ish ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka fituar zgjedhjet për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, përballë ish kryeministrit dhe ministrit te jashtem malazez, Igor Luksiç.

Në zgjedhjet e mbajtura pak ditë më parë, Bregu ka marrë shumicën e votave dhe zyrtarizimi pritet të bëhet nesër.

Megjithatë, në një status në faqen e saj në “Facebook”, ajo falënderon edhe ministrin Ditmir Bushatin.
“Një falenderim miqësor për Ditmirin. Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë”!

Çfarë është Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal?

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, si një pasues i Aktit të Stabilitetit, është krahu operacional i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jug Lindore (SEECP), që funksionon si një pikë kyçe në udhëzimin, monitorimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit në Evropën Jug-Lindore.

Sekretari i Përgjithshëm duhet jetë një figurë e fortë politike nga rajoni, më aftësinë e madhe për të bashkëvepruar me qeveritë e rajoneve, partnerët dhe institucionet ndërkombëtare dhe të këtë një përvojë të suksesshme në bashkëpunimin rajonal.

Në statusin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal thuhet se Sekretari i Përgjithshëm ka një mandat tre vjeçar, por mund të zgjedhet edhe për tre vite të tjera.

Aktualisht pozicioni i zv.sekretarit të Përgjithshëm mbahet nga ish ambasadori shqiptar në Gjermani, Gazmend Turdiu.

Sa i përket buxhetit të këtij Këshilli, në statut thuhet se përveç Komisionit Europian, i cili kontribuon me një shumë të papërcaktuar, secili prej vendeve anëtare ka detyrimin të japë të paktën 50 mijë euro në vit.

Në bordin e Këshillit ka 24 anëtarë, që do të thotë se buxheti nuk është më i vogël se 1.2 milionë euro në vit.