Miratohet Ligji për Prishtinën

Me 66 vota “për”, një (1) “abstenim”, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar projektligjin për Prishtinën.
Në shqyrtimin e dytë të këtij  Projektligji, u ngjall një debat për amendamentin numër dy këtij projektligji, i cili përcakton kryeqytet të Kosovës Prishtinën, ndërsa Prizrenin si kryeqytet historik të Kosovës.
Edhe pse pati kundërshtime për amendamentin numër dy nga deputetët e LDK-së, me shumicë votash Prizreni me këtë projektligj mbetet kryeqytet historik.
Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani ka paraqitur dhe arsyetuar raportin me rekomandime, i cili tha se është më rëndësi që pas shumë vitesh, në Kuvendin e Kosovës po shqyrtohet ligjin për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, dhe komisioni sipas tij, ka bërë hulumtimet, shqyrtimet, analizat e këtij projektligji, i cili ka bërë edhe vizitat studimore në qendrat e rajonit.
Dhe Komisioni ka ardhur në përfundim se ky projektligj i plotëson kushtet për miratim në kuvendin e Kosovës.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se askush nuk është kundër që Prizrenin me trajtuar si super qytet historik, por nuk e ka vendin në projektligjin për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.
Deputetët gjatë debatit kanë pasur  vërejtje edhe për çështjen e rregullimit të sigurisë në kryeqytet, për Policinë.