(Mos) Pjesëmarrja e të rinjëve në vendimmarrje

Shkruan: Shpëtim Morina

Rinia është pjesa më vitale e shoqërisë së një shteti të zhvilluar. Si një shtrese e popullsisë ku varet ardhmëria e çdo shteti padyshim paraqet pasuri kombëtare të çdo vendi. Vendet evropiane krijojnë politika zhvillimore lidhur me të ardhmen dhe krijojnë strategji të  mirëfillta për aftësimin dhe përgatitjen e tyre në tregun e punës.
Politikat sidomos arsimore janë më se të domosdoshme në integrimin më të lehtë të rinjëve që me anë të profilizimit të tyre, të japin kontributin e tyre me ekspertiza në fushën e zhvillimit ekonomik. Profilizimi i rinisë nënkupton që çdo i ri varësisht aftësive tyre të orientohet në profesionin e tyre në të ardhmen. Ky orientim në vendet e zhvilluara fillon qysh në shkollën fillore e pastaj zyrtarizohet në shkollën e mesme, kurse në arsimin e lartë profilizohen kuadro adekuate për ketë nivel.

Në Kosove politikat zhvillimore së pari lidhur me arsimin e pastaj edhe në integrimin rinisë në proces kanë qenë të gabuara. Në arsim nuk kemi pasur profilizim të të rinjëve në shkollim. Të rinjët kanë zgjedh në shkolla të mesme drejtime tradicionale duke mos pasur parasysh aftësitë e tyre por duke shikuar vetëm prestigjin e emrit të shkollës. Kjo mendësi e gabuar vazhdon edhe në arsimin e lartë ku të rinjët vetëm të marrin statusin “student” nuk bëjnë përzgjedhjen e saktë të drejtimit të tyre në bazë të aftësive të tyre, tregut të punës por vazhdohet me gabimin e njëjtë.
Orientimi i rinisë tonë në shkollim të lartë pra në fakultet, ose ne kolegje private është edhe pasoje e papunësisë dhe pikërisht këtyre strategjive te gabuara lidhur me orientimin e shkollimit te mesëm dhe të lartë.

Pjesëmarrja e rinisë së vendit tonë në vendimmarrje është e ende në një nivel të ulët. Hapësirat tejet të reduktuara në institucionet qendrore dhe lokale për të rinjët e aftësuar, profesionalizuar dhe me ekspertiza të veçanta në lëmitë përkatëse, paraqesin problem thelbësor për një shoqëri dhe për të ardhmen e një shteti. Të rinjët tanë të cilët kanë një shkollim adekuat duhet që në bazë të meritave tyre të ju ofrohen mundësitë që ata t’i shprehin aftësitë e tyre dhe që besimi ndaj tyre të shpërblehet me punë të mirëfilltë. Kosova është një shtet me fat që ka një rini të shëndosh e gatshme që të marr përgjegjësi dhe të jetë bartëse e proceseve.

Në nivelin qendror ne kemi parë që qeveria e Kosovës ka pasur një reflektim në këtë drejtim ku në përbërje të qeverisë kemi një numër të konsiderueshëm të rinjësh si ministra. Gjithashtu në parlamentin e Kosovës kemi një numër të konsiderueshëm të rinjë që për herë të pare janë si deputet të zgjedhur. Mirëpo nuk mjafton vetëm në këto poste të kemi të rinjë por edhe në nivele tjera të vendimmarrjes të kemi përfaqësues të denjë të rinjëve.

Ndërsa në nivelin lokal kemi pasur një përfaqësim më të madhë të të rinjëve ku në zgjedhjet e fundit lokale, kemi pasur edhe kryetar komunash të rinjë që u zgjedhën për herë të parë siç janë: Xhafer Tahiri ne Vushtrri, Qëndron Kastrati në Kamenicë, Bekim Jashari në Skenderaj etj. Në kuvendet komunale kemi një përqindje të lartë të të rinjëve si përfaqësues në komunat përkatëse. Pavarësisht gjithë këtyre shembujve ende kemi të rinjë të specializuar në fusha të tyre studimore dhe që nuk janë të sistemuar në vende të punës. Prandaj rinia si një element frymëdhënës dhe ideator, padyshim që shteti ynë duhet t’i ketë prioritet numër një dhe që kuadrot tona më të specializuara të mos lejohet të dalin nga vendi ynë.

Liberalizimi i vizave që pritet të realizohet me rekomandimin e Këshillit Evropian pasi që Kosova të ratifikoj marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, është një mundësi për rininë tonë që më në fund t’i jap fund izolimit dhe që vendi ynë të shkëmbej përvojat evropiane me shtetet përkatëse. Prandaj edhe politika vendore institucionale duhet që të rezonojnë maturi në mënyrë që rinia jonë të mos mbetet peng e interesave të ngushta politike ditore.

Lini një Përgjigje