Murati: Bahri Fazliu ishte njëri ndër ideologët e luftës çlirimtare dhe bashkimit kombëtar

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati me bashkëpunëtorë sot ka bërë homazhe pranë varrit të Bahri Fazliu, me rastin e 20 vjetorit të rënies së tij.
Pas homazheve ku ishte së bashku me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli,  Murati e ka çmuar lartë veprën e Fazliut për liri.
Përmes një postimi në Facebook, Murati tha se Pavarësia e Kosovës, është produkt i punës së dëshmorëve si Bahriu me shokë.
“Sot 20 vjet na la Bahri Fazliu, njëri ndër ideologët e luftës çlirimtare dhe bashkimit kombëtar, themelues i LKÇK-së, kryeredaktor i “Çlirimit”, luftëtar u lirisë, intelektual i gjithanshëm, e mbi të gjitha një humanist i madh. Një njeri i dashuruar në lirinë e popullit të tij, dhe që e ka urryer robërinë dhe politikën që na ka mbajt nën robëri. Jeta, lufta, përpjekjet dhe rënia e tij janë simboli më i denjë i luftës së popullit tonë për liri e bashkim kombëtar. Pavarësia e Kosovës, është produkt ndër të tjera i punës së dëshmorëve si Bahriu me shokë. Ne të gjallëve na mbetet që këtë pavarësi ta forcojmë, ta bëjmë një shtet të denjë, me sundim të ligjit e mirëqenie sociale e të krijojmë kushtet që Kosova të ketë mundësi të deklarohet për bashkim me Republikën e Shqipërisë si pjesë e realizimit të idealeve të dëshmorëve”, ka shkruar ai.

Fotografia e Valon Murati