Nuredin Lushtaku flet për brigadën e shpikur të UÇK-së

0
9
Nuredin Lushtaku, një nga komandantët e UÇK-së nga Zona e Drenicës, i kyçur në një fazë të procesit në Komisionin për Verifikimin e Veteranëve të UÇK-së, ka reaguar pas raportimeve se një brigadë e kësaj ushtrie ishte shpikur më shumë se 15 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Në një koment të lëshuar në faqen e tij në “Facebook”, Lushtaku konfirmon se një brigadë e quajtur “Hasan Prishtina” nuk ka ekzistuar ndërsa thotë se nuk e ka nënshkruar listën e veteranëve të kësaj “brigade”. Ai ka ftuar prokurorinë që ta zbardhë këtë rast. “Ftoj prokurorin dhe institucionet e drejtësisë që procesin e filluar të hetimeve ta vazhdoj dhe të zbardhin të vertetën për listat e veteranëve, sepse ata që dje manipuluan listat sot janë vënë në aksion që të manipulojn opinionin publik. Drejtesia duhet të veproj dhe nuk guxon të tërhiqet as nga kërcnimet e as nga manipulimet e manipulantëve, pasi që vetëm shpata e drejtësisë i vë gjerat në rrugën e drejtë”, ka shkruar Lushtaku.

Ja postimi i plotë i Nuredin Lushtakut:

Të nderuar qytetarë, miq dhe bashkëluftëtar,

“Për shkak se këto ditë janë hedhur shumë të pavërtetat në opinionin publik, ju bëjë me dije se asnjë aktakuzë nuk është ngritur ndaj meje, as nuk janë zhvilluar hetime ndaj meje për listat e veteranëve nga prokurori Blakaj, me aq sa di unë as nga ndonjë prokuror apo hetues tjetër.

Unë jam ftuar një herë nga prokurori Blakaj në cilësinë e deshmitarit apo të dyshimtit vlersojeni vetë, une deshminë time e kam dhënë pa avokat. Biseda me prokurorin Blakaj ka qenë informuese dhe sqaruese për të, ishte shumë miqësore për çka ai me falënderoj për sqarimet qe ia kam dhënë.

Të nderuar, ashtu siç e dini ju, unë jam një nga pjesëtarët e parë të UÇK-së që nga themelimi i saj dhe asnjëherë të vetme, për asnjë minutë nuk jam larguar nga Kosova, kam qëndruar këtu me bashkluftëtarët, me popullin që nga themelimi i celulave të para të UÇK-së e deri në përfundimin e luftës.

Prandaj, me kërkesën e prokurorit Blakaj unë kam deklaruar njohuritë e mia për të ashtuquajturën “Brigada Hasan Prishtina”, ku kam thënë se në Zonën Operative te Drenicës nuk ka pas një “Brigadë” të tillë dhe se për herë të parë për atë “Brigadë” kam ndëgjuar në vitet 2014 -2016 kur është prezantuar para nesh në Komision Verifikues, ku zëvendësoja Komandantin e ZO Sami Lushtakun qe ishte ne burg, asnjëherë për një “Brigadë” të tillë nuk kam ndëgjuar në vitet 1990-1999.

Unë kam deklaruar të vërtetën se gjatë luftës nuk ka ekzistuar “Brigada Hasan Prishtina” në vijat komanduese të UÇĶ-së (ekzistoj transkriptet dhe proceserverbalet e takimeve), por nëse ka ekzistuar një e tillë në vija të tjera komanduese ju takon protagonisteve të deklarohen.

Unë nuk kam pranuar të nënshkruaj listën e të ashtuquajturës “Brigada Hasan Prishtina”, sepse nuk kanë qenë në vijë komanduese të UÇĶ-së në ZO të Drenicës. Me gjasë dikush e ka nënshkruar këtë listë, të paktën kështu e kam kuptuar nga ajo çfarë kam biseduar me prokurorin Blakaj, pra se ajo listë është nënshkruar në kuadër të ZO të Drenicës. Kush do qe ka nënshkruar atë “Brigadë” në kuadër të ZO të Drenicës ka bërë gabim, sepse edhe vet protagonistet e asaj Brigade deklarohen se kanë pasë tjetër vijë komanduese.

Le te publikohen dokumentet ku shihet qartë se kush e nënshkroi listën e veteranëve të “Brigadës Hasan Prishtina” dhe të kuptohet e verteta, sepse ajo demaskon manipulantët.

Bazuar në zhvillimet e fundit nënshkruesit e “Brigadës Hasan Prishtina” në kuadër të ZO Drenicës mund të jenë edhe kërcënuesit e Prokurorit Blakaj dhe manipuluesit e opinionit publik.

Apostrofimi i emrit tim se gjoja jam i akuzuar për diçka që nuk kam nënshkruar është pjesë e po atij manipulimi të qëllimshëm të opinionit publik, nga ata që kan bërë manipulime me listat e veteranëve, nga ata që krijuan “Brigadë” të re në ZO të Drenicës në vitin 2014.

Me pergjegjësi të lartë morale dhe penale deklaroj se jap llogari për listën e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”.

Ftoj prokurorin dhe institucionet e drejtësisë që procesin e filluar të hetimeve ta vazhdoj dhe të zbardhin të vertetën për listat e veteranëve, sepse ata që dje manipuluan listat sot janë vënë në aksion që të manipulojn opinionin publik. Drejtesia duhet të veproj dhe nuk guxon të tërhiqet as nga kërcnimet e as nga manipulimet e manipulantëve, pasi që vetëm shpata e drejtësisë i vë gjerat në rrugën e drejtë.

Ata që një kohë gjatë luftës u larguan nga Kosova për në Perëndim si duket kishin perfeksionuar manipulimin dhe mashtrimin, por sot 20 vite më pas ju tregoj se ato manipulime nuk ju dhezin më, unë jam këtu ashtu siç isha gjatë gjithë kohës se luftës” N.L.