Prokuroria interviston 20 dëshmitarë rreth privatizimit të KEDS-it, në mesin e tyre edhe ministra

Prokuroria Speciale ende nuk e ka nxjerrë vendimin për fillimin e hetimeve për privatizimin tinëzar të 4 hidrocentraleve së bashku me distribucionin dhe furnizimin.

Deri më tani, Prokuroria Speciale në fazën para-hetimore ka intervistuar 20 dëshmitarë, por ende nuk ka të dyshuar ndaj të cilëve do të fillojnë hetimet. Në mesin e të intervistuarve ka edhe ministra.
Faza e para-hetimeve kishte nisur në vitin 2016, ndërsa konfirmimi zyrtar ishte dhënë për herë të parë në muajin mars të vitit 2017.
“Policia e Kosovës është në fazën e fundit të sigurimit të informatave të nevojshme, për rastin KEDS”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ekrem Lutfiu.
Ai ka thënë se ende nuk ka vendim të hetimeve, përkundër që janë intervistuar 20 dëshmitarë.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ende nuk ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër ndonjë personi. Deri më tani janë dëgjuar mbi 20 dëshmitarë dhe siguruar shkresa të ndryshme”, tha Lutfiu për Gazetën JnK.
Rasti i hetimit të privatizimit të hidrocentraleve është përmendur edhe nga kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi në Emisionin “Jeta në Kosovë”.. Ai nuk kishte dhënë shumë detaje, por e kishte konfirmuar se Prokuroria Speciale ka nisur grumbullimin e informatave për këtë rast pas raportimit në media.
Katër hidrocentrale ishin privatizuar bashkë me distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike. Përfshirja e tyre në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.
Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. Në kohën kur janë dhënë me qira, sipas KEK-ut, ato kanë pasur një kapacitet të instaluar prej 11 megavatëve, mirëpo koncesionarët janë zotuar se pas investimeve që do të bëjnë kapaciteti i tyre do të rritej në 14 megavatë. Nëse shihen komunikatat e lëshuara nga KEK-u, në kohën e dhënies së këtyre hidrocentraleve me koncesion, atëherë del që në to është dashur të investohen 15 milionë €.
Më parë ishte raportuar se hidrocentralet ishin pjesë e listës së aseteve, mirëpo ishin shkruar vetëm pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Gazeta Jeta në Kosovë e ka analizuar listën e aseteve, vetëm te pjesa e hidrocentraleve.
Në listën e gjatë të aseteve janë futur edhe pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Në tërë listën e gjatë të asteve vetëm në një vend shkruan “HCV”, që është akronim për “Hidrocentralet e Vogla”. Në asnjë vend tjetër të kësaj liste nuk figuron fjala hidrocentral.
I pari në listë është hidrocentrali i Lumbardhit. I njëjti është pjesë e regjionit të Pejës. Aty figuron: mbledhësi i lymit, gypsjellësi 1.15 m³/s, gypsjellësi 1050 m, 177.30 m, me pajisje përcjellëse, shtëpiza e kozhnjerit me material të fortë etj. Këto janë disa prej aseteve që e përbëjnë një hidrocentral. Asetet e këtij hidrocentrali janë nga numri rendor 109 deri në 1035.
Pas tij është hidrocentrali i Burimit, që po ashtu është në regjionin e Pejës. Asetet e këtij hidrocentrali janë nga numri rendor: 1,036 deri në numër 1045. Në listën e aseteve të këtij hidrocentrali është: Kaptazha e ujit, kanali i hapur, liqeni artificial me pajisje përcjellëse, gypsjellësi i metalit, rrjeti i turbinës me pajisje përcjellëse, ndërtesa e materialit të fort etj.
Pastaj, është hidrocentrali i Radavcit që vjen nga numri 1046 deri 1054. Edhe në listën e aseteve të këtij hidrocentrali figuron liqeni artificial, si dhe ndërtesat dhe gypsjellësit tjerë./Jeta në Kosovë/

Lini një Përgjigje