Qosja godet krerët e shtetit, i quan autokratë

Akademik Rexhep Qosja ka pyetur veten dhe të tjerët se si funksionon sot Kosova. Në këtë kontekst, Qosja ka thënë se Kosova sot funksionon si shtet autokratik.
Akademik Rexhep Qosja ka vlerësuar se nga Rilindja Kombëtare, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, janë dy ngjarjet më të mëdha historike të kombit shqiptar.

Ai në një intervistë për “A2 CNN”, ka thënë se pavarësia e Shqipërisë dhe e Kosovës është arritur falë tre faktorëve, mendjes, pasurisë dhe luftës.

“Në historinë e re shqiptare që fillon me Rilindjen Kombëtare dhe zgjatë deri sot, janë dy ngjarje të mëdha, ngjarjet më të mëdha të kësaj historie: shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Duhet të thuhet se për këto dy ngjarje të mëdha janë investuar shumë përpjekje, shumë fuqi. Janë investuar përpjekje me laps, përpjekje me mend. Janë investuar përpjekje me pasuri të atyre që kanë pasur, të shqiptarëve, këtu shumë më tepër të shqiptarëve në botën e jashtme, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe mandej është investuar përpjekje me luftë. Pra tre faktorë kanë ndikuar që të arrihet Pavarësia e Shqipërisë dhe e Kosovës: mendja, pasuria dhe lufta”, ka thënë Qosja.

Akademik Qosja ka pyetur veten dhe të tjerët se si funksionon sot Kosova. Në këtë kontekst, Qosja ka thënë se Kosova sot funksionon si shtet autokratik.

“Por ne sot duhet të shtrojmë pyetjen. Si funksionon ky shtet, shtet i quajtur demokratik sot? Unë them se ky shtet i Kosovës sot në masë të madhe funksionon si shtet autokratik. Institucionet e këtij shteti, janë institucione në pjesën më të madhe të kohës autokratike të shtetit partiak”, është shprehur Qosja.

Ai ka thënë kjo gjendje nuk ka ndodhur aksidentalisht. “Si ta them aksidentalisht, pak si më vështirë ndodhin punët në politikë dhe në ndërtimin e shtetit. Por kanë ndodhur në një mungesë të një kulture të vërtetë demokratike, por edhe kanë ndodhur për hir të interesave të ndryshme të atyre që e mbajnë pushtetin”, ka deklaruar Qosja, duke shtuar se gjyqësori, mediet e shëndetësia janë të kontrolluara dhe të shpërfillura nga bartësit e shtetit.

“Ne sot kemi të kapur prej shteti gjyqësorin. Ne sot kemi të kontrolluara mediet. Bile një numër të tyre mund t’i quajmë medie të kolonizuara. Ne sot kemi një reformë arsimore që e ka shtuar madhësinë e institucioneve të arsimit, sasinë e tyre, por e ka ulur, zbritur, dëmtuar cilësinë e arsimit. Prandaj keni parë se çfarë protestash janë bërë kuadrot e arsimit. Ne kemi sot një shëndetësi po ashtu të shpërfillur, sidomos të shpërfillur nga aspekti material. Prandaj kirurgët, njerëzit e një profesioni shumë të rëndë dhe shumë të rëndësishëm për jetën e njeriut, janë njerëz që merren me jetën, për të shpëtuar vdekjen e njerëzve, dhe janë të shpërfillur, nënçmuar me rrogat e tyre”, ka thënë Qosja.

Më tutje, akademik Qosja ka folur edhe për kulturën politike në institucione. Ai ka thënë se njerëzit që janë në pushtet dikur kanë qenë të varfër.

“Duhet të thuhet me keqardhje se numri më i madh i këtyre që janë në pushtet sot, kanë marrë pushtetin, që kanë fituar pushtetin edhe në zgjedhje kanë ardhur në pushtet si të varfër. Sot janë njerëz të cilët, duke qenë në pozita politike janë pasuruar në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe të gjithë ata, sidomos ata të rendit të parë dhe të rendit të dytë, e përdorin pushtetin për nevojat e veta”, ka theksuar akademik Qosja, duke shtruar se niveli i korrupsionit është duke e dëmtuar Kosovën në të gjitha fushat.

“Ne kemi sot disa dukuri të cilat janë jashtëzakonisht për shtetin e Kosovës, për banorët e Kosovës, për qytetarët e Kosovës, por edhe për pamjen e Kosovës, imazhin e Kosovës, prestigjin e Kosovës në botë. Ne kemi një korrupsion të jashtëzakonshëm, të madh, të cilin e nënçmojnë këtu. Por, liberalizimi i vizave, Kosovës nuk po i jepet në radhë të parë për shkak të këtij korrupsioni”, ka thënë Qosja.

Në këtë intervistë, Qosja ka përmendur edhe familjarizim në institucione, duke thënë se kjo dukuri është e rrezikshme për vendin.

“Ne kemi një dukuri tjetër shumë dëmtuese, shumë të dëmshme, shumë të rrezikshme, shumë cenuese për zhvillimin e Kosovës, kemi të ashtuquajturin familjarizëm me të cilin mbulohen dhe privilegjohen jo vetëm familjarët, por edhe miqtë, dashamirët, po edhe shokët, po edhe anëtarët e partisë. Ata janë ata që punësohen. Ata janë ata që u jepen privilegje. Me një fjalë pushteti sot në Kosovë është vënë në shërbim të njerëzve që janë në pozita. Dhe ata s’i kap ligji. Ata janë mbi ligjin objektivisht. Dhe të gjitha këto dukuri kanë sjellë një pakënaqësi të madhe tek populli dhe kanë sjellë disa pasoja të mëdha. Kosova në njërën anë i ka këta të pasurit politik, milionerët politik, në anën tjerë ka popullin e varfër. Kjo gjendje ka sjellë një shpërngulje të rrezikshme, të madhe, një shpopullim gjithnjë më të shpejtë të Kosovës. Kjo gjendje ka sjellë që të rinjtë, numri më i madh i të rinjve bën çmos për të dalë prej Kosove, dhe po dalin, po lëshojnë Kosovën”, ka thënë Qosja.

Në këtë aspekt, ai ka ofruar edhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës.

Qosja ka thënë se zgjidhja e të gjitha problemeve të Kosovës është brezi i ri i njerëzve të politikës.

“Unë them se e para e të parave që do bërë në Kosovë, për të evituar një dëshpërim të përgjithshëm, për të evituar një rënie të shëndetit etik të popullit, për të evituar një gjendje që e quajmë rrezik për paqen sociale në Kosovë, do të duhej që para se gjithash Kosova të bëhet shtet i së drejtës. Në Kosovë është e përçmuar, nënçmuar, e drejta-drejtësia. Prandaj Kosovës i duhet shteti i së drejtës”, është shprehur akademik Qosja.