Shoferi që i shpëtoi shembjes së digës në Brazil (Video)

Braziliani Elias Nunjes ka folur në detaje për momentin se si ai dhe kolegu i tij, i mbijetuan shembjes së digës në juglindje të vendit ku humbën jetën të paktën 150 persona.

Në një video të publikuar më poshtë, shihet se si balta me shpejtësi të madhe lëviz në drejtim të veturës brenda të cilës ishin ata, dhe mundoheshin t’i shpëtojnë më të keqes.

“Kemi dëgjuar një zhurmë të madhe, fillimisht menduam se po kalon treni. Kur u afruam për të parë se çfarë ndodhi, e kuptuam se në drejtimin tonë po vinte balta”, ka deklaruar Nunjes.

“I kam thënë kolegut të ikë sepse është shembur diga. Kam vrapuar në drejtim të veturës, jam penguar dhe rrëzuar. Dhe kur të dy u futëm në veturë, vendosëm të lëvizim në një zonë më të sigurtë. Pas 15 metrave balta mbuloi rrugën. Ktheva veturën në anën tjetër dhe u munduam të ikim, por sasia e madhe e baltës na mbuloi në të gjitha anët. Kur e pashë që nuk mund të bëjë asgjë, ndala veturën dhe i thash kolegut që të bëhet gati për një goditje të fuqishme. I thash se ka ardhur momenti dhe duhet t’i lutemi zotit. Pasi u lutëm e pamë veten në maje të baltës. Mendoj se në situata të tilla duhet të jeni i përqendruar dhe të mos hiqni dorë. Në atë moment fuqia e natyrës ju rrëmben dhe mendoni se do të vdisni. Kur e shihni se si balta merrte me vete trenat dhe vagonët, atëherë për çfarë tjetër mund të mendoni”, ka deklaruar Nunjes.

Kujtojmë se diga në afërsi të qytezës Brumandinja është shembur më 25 janar, dhe ka bërë që qindra tonë baltë të përmbyt shumicën e rrugëve ku humbën jetën 150 persona.

Lini një Përgjigje