Shqipëria vlerësohet si destinacion i mirë turistik

Shqipëria është vlerësuar si një ndër destinacionet kryesore turistike për t’u vizituar gjatë këtij viti, nga gazeta irlandeze “Irish Times”.

Në një shkrim të saj, të titulluar “Vendet më të mira për të udhëtuar në vitin 2018, “Irish Times”, e rendit Shqipërinë në vendin e dytë si një destinacion që ofron shumë dhe kushton lirë.

“Nuk është vendi i parë që një familjeje i shkon në mendje, e as i lehtë për t’u arritur – do të duhet të udhëtoni përmes Mançesterit – por është një destinacion i ri. Dhe është shumë më i lirë se Italia ose Kroacia. Plazhet janë të bukura dhe fshatrat janë origjinale ”, përshkruan “Irish Times”.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ‘Irish Times’ iu rekomandon turistëve të vizitojnë qytetin mesjetar të Krujës, rrënojat e Apollonisë dhe Beratin, që tashmë është pasuri e UNESCO-s për ish kishat bizantine dhe arkitekturën osmane.