SHTETI NUK ËSHTË ORGANIZËM NJËQELIZOR!

Shkruan: Shukri Klinaku
Keni pa njerëz që kritikojnë e shfryjnë me mllef kundër zyrtarëve të lartë të shtetit për korrupsion, ndërsa vet, aty ku sjellen e punojnë, shkelin ligj e rregulla dhe korruptojnë e korruptohen aq sa kanë kapacitet?! Unë kam pa. Fatkeqësisht shoh shumë të tillë. Në punë, e kudo! Madje, shoh edhe më keq: rektorë, dekanë e profesorë të korruptuar dhe në kundërshtim me ligjin deri në fyt. Këta njerëz, nëse nuk janë prej atyre që korrupsionin e kanë qëllim dhe praktikë jetësore, e bëjnë këtë për dy arsye kryesore:
E para, imitojnë edukatorin e tyre suprem (atë zyrtarin-politikanin e korruptuar, pikërisht atë që e kritikojnë);
E dyta, nuk ndalen e të mendojnë se SHTETI NUK ËSHTË ORGANIZËM NJËQELIZOR!
Do të ishte e dëshirueshme dhe shuuuumë më efektive sikur krerët politikë të ishin shembull për zbatim të ligjit dhe për luftën kundër korrupsionit. E qartë, kjo nuk është duke ndodhur. Atëherë, le ta kuptojmë shtetin ashtu si është, një organizëm i ndërlikuar me miliona qeliza. Shteti është në komunikacion, në autobus, në shkollë, në drejtori, në dekanat, në rektorat, e në cilindo vend të punës. Secili prej nesh është pjesë e së paku një qelize të shtetit. Prandaj, nëse je kritikues i politikanëve të korruptuar, në radhë të parë mos i imito ata në qelizën shtetërore ku bënë pjesë ti. Nëse e luftojmë korrupsionin me bindje dhe me urtësi në rrethinën tonë, kjo mund të përhapet shumë shpejtë; shumë shpejtë arrinë t’ia zë frymën atij që korrupsionin e ka qëllim dhe praktikë jetësore.