Supremja shpalos sfidat në lidhje me menaxhimin e luftëtarëve të huaj, të kthyer në Kosovë

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, po merr pjesë në Konferencën Rajonale WINPRO III IPA 2015, organizuar nga projekti NI-CO, e cila konferencë ka mbledhur në Tiranë, përfaqësues të lartë nga sistemi i drejtësisë së vendeve të rajonit, përfshirë Tiranën, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën.

Gjatë kësaj konference, kryetari Peci, ka prezantuar para të pranishmëve sfidat në lidhje me menaxhimin e luftëtarëve të huaj, të kthyer në Kosovë, duke qartësuar para të pranishmëve, hapat që janë ndërmarrë nga institucionet e vendit.
Sipas tij, ky problem global, fillimisht e ka gjetur Kosovën të papërgatitur, mirëpo, falë koordinimit të të gjitha institucioneve të vendit, janë ndërmarrë masat e nevojshme, qoftë në kuptim të nxjerrjes së ligjeve përkatëse, qoftë në parandalim. “Ndërkaq, derisa nuk është miratuar Ligji për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, gjykatat kanë vendosur bazuar në një dispozitë të Kodit Penal, lidhur me terrorizmin.
Kryetari Peci, potencoi se në hapat e mëtutjeshëm, është vendosur që gjykatat t’i trajtojnë me prioritet këto raste.
Kreu i Supremes vuri theksin tek strategjitë e miratuara kundër terrorizmit dhe për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke bërë me dije se falë hapave të ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, Kosova ka arritur të menaxhoi me këtë problematikë, dhe aktualisht, nuk ka raste të reja të bashkimit në luftërat e huaja. Po ashtu, ai vlerësoi pozitivisht rolin e mediave në informimin e drejtë të opinionit sa i përket kësaj dukurie.
Gjatë konferencës, ekspertë nga Britania e Madhe dhe nga vende tjera perëndimore, kanë prezantuar dhe diskutuar edhe për mbi mbrojtjen e dëshmitarëve, me theks në mbrojtjen e fëmijëve-dëshmitarë, programet trajnuese për gjyqtarë dhe prokurorë, për cilësinë e provës dhe nxitjen etj./Gazeta Express/

Lini një Përgjigje