Telenovelat turke si mjet influence

Shkruan: Blendi Lami

Telenovelat turke janë shndërruar tashmë, për një pjesë të konsiderueshme të popullatës shqiptare, ndër zgjedhjet e para të telespektatorëve. Për audiencën tonë, në pamje të parë, janë thjesht “ushqim argëtues artistik”, ndërsa për Turqinë zyrtare ato janë pjesë e një strategjie të stërholluar të diplomacisë publike turke.

Pas shumë polemikave për praninë turke në Shqipëri, suksesi i transmetimit të telenovelave turke nuk mund të konsiderohet i papritur. Për më tepër, sa vjen dhe rritet kërkesa për kësi filmash me seri. Kjo vjen ngaqë ka një puthje mes vlerave turke dhe shqiptare. Aktivizimi i kësaj puthjeje ndodh si pasojë e shfrytëzimit të resursit – kulturë – të diplomacisë publike, si instrument i fuqisë së butë.

Joseph Nye thotë se “fuqia e butë e një vendi përqendrohet te resurset e kulturës, vlerave dhe politikave”. Kultura e Turqisë në rastin tonë ka rrezatim në ato vende që ajo është atraktive. Nye e shpjegon më tej këtë rrezatim si vijon: “Kultura është një grup praktikash që krijojnë kuptim për një shoqëri dhe ka shumë manifestime. Është e zakonshme të bëhet dallimi ndërmjet kulturës së lartë siç është letërsia, arti dhe edukimi, që ka të bëjë me elitat, dhe kulturës popullore, e cila fokusohet në argëtimin masiv”.

E thënë akoma më shkoqur, diplomacia publike ka qëllim që të informojë, angazhojë dhe pastaj të ndikojë në zonat e synuara. Në fakt, qëllimi i politikës së jashtme turke – që përdor më së miri diplomacinë publike, në këtë rast përmes telenovelave – është që Turqia të rikthehet si një aktore e fuqishme jo vetëm në skenën rajonale por edhe atë globale.

Arkitekti i politikës së jashtme turke, Ahmet Davutoglu, shprehet se “kultura është elementi më i rëndësishëm që ndërlidh parametrat konstantë të fuqisë… dhe përbëhet nga komponentë psikologjikë, sociologjikë, politikë dhe ekonomikë që varen nga bota e vlerave që një element human specifik (popullsia) prodhon me identitetin e vet, dhe nga një sens përkatësie që e posedon në një mjedis të caktuar (gjeografia) dhe në një dimension të caktuar të kohës (historia)”.

Kultura, pra, është pritoritare në mendimin davutogluian. Këtë perspektivë të ligjërimit të politikës së jashtme, Davutoglu e lidh kryesisht me vlerat e identitetit islam dhe modernizimit. Turqia po provon që shoqëria e saj myslimane mund të përmirësohet dhe ndryshojë, duke ruajtur vlerat, traditat dhe identitetin, dhe duke i shpërndarë këto vlera aty ku ato gjejnë pikëtakime. Ish-presidenti Gul deklaronte në 2007 se “Turqia po bëhet model për botën islame. Në mënyrë të tërthortë, ne [Turqia] po e edukojmë rajonin përmes një reforme ekzemplare dhe procesi zhvillimi. Turqia po bëhet një burim frymëzimi për intelektualë dhe politikanë brenda sferës së gjeografisë sonë”.

Duke iu rikthyer telenovelave, ato po bëhen gjithnjë e më shumë popullore në Shqipëri, por edhe në vende të tjera që “gëzojnë” trashëgimi otomane. Kjo industri ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e popullaritetit të Turqisë në vendin tonë, por edhe më gjerë. Në Shqipëri nuk njihet ndonjë sondazh specifik, por vihet re numri i madh i telenovelave të shfaqura në televizionet shqiptare. Është sigurisht një indikacion i rritjes së influencës kulturore turke në Shqipëri.

Në një sondazh të zhvilluar në Lindjen e Mesme, 78% e të anketuarve pranojnë se kanë ndjekur të paktën një telenovelë turke. “Është një formë e fuqisë së butë”, deklaron një analist i TESEV-it (Fondacioni Turk për Studime Sociale dhe Ekonomike). Për këtë arsye, pranohet gjerësisht se popullariteti i madh i këtyre telenovelave është një fenomen social.

Por, ka patur dhe vazhdon të ketë frenime dhe përmbajtje – nga elita – për shfaqjen e këtyre telenovelave (vetëm një platformë televizive vazhdon t’i rezistojë këtij “invazioni”). Në këtë kontekst, pavarësisht mediokritetit të këtyre telefilmave, mund të kuptohet arsyeja e ndjekjes së tyre: thjesht për shkak të afërsisë kulturore. Konstantja kulturore e Davutoglusë justifikohet. Shoqëria shqiptare e ndjen veten pranë shoqërisë turke. Kjo gjë nënkupton supozimin se shoqëria shqiptare ka orientim mysliman ose oriental, një qasje që për elitat perëndimore shqiptare mbetet e diskutueshme.

Vlen të theksohet se qeveria turke dëshiron që të ketë një shpërndarje sa më të gjerë të kulturës turke në Shqipëri dhe rajon. Sipas ministrit të Çështjeve me BE-në, Egemen Bagis, “telenovelat luajnë një rol të rëndësishëm në prezantimin e Turqisë bashkëkohore ndaj botës dhe janë bërë një nga gurët themeltarë të fuqisë së butë turke”. Nga ky prizëm vihet re se popullariteti i këtyre telenovelave shkon paralelisht me pritshmëritë e politikës së jashtme turke.

Duke u futur në thelbin e vërtetë të këtij popullariteti – të paparashikuar disa vite më parë dhe dekada të shkuara nga rilindësit tanë – duhet theksuar se trashëgimia otomane po reflektohet si manifestim i influencës në rritje të Turqisë. Edhe telenovelat mund të futen në kuadrin e madh të “Thellësisë Strategjike” të Davutoglusë, sepse siç thotë ai “Turqia ndodhet në qendër të baseneve gjeokulturore (Lindja e Mesme, Ballkani dhe Azia Qendrore)… dhe duhet të shfrytëzojë mendësitë e saj në këto zona”.

Kjo na çon në përfundimin se Turqia ka krijuar zona influence kulturore në basenet e përcaktuara, duke rritur imazhin e saj, në mënyrë të konsiderueshme, kryesisht që prej ardhjes në pushtet të Erdoganit. /mapo/