Trajneri gjerman Kuntz me lëvdata për Kosovën

Gjermania U21 dhe Kosova U21 kanë luajtur baras 0-0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Trajneri Stefan Kuntz e ka lavdëruar ekipin përfaqësues të drejtuar nga Rafet Prekazi.
“Nuk fituam, pasi këtë nuk na e lejoi kundërshtari, që ka qenë shumë mirë i organizuar në mbrojtje dhe kanë luajtur me pasion. Edhe ekipi im ka qenë mirë në mbrojtje dhe nuk kemi lejuar që të rrezikohemi në kundërsulme”, ka thënë Kuntz.
“Kemi krijuar disa mundësi, por na mungoi finalizimi, por edhe mbrojtja kompakte e Kosovës nuk na e lejoi golin. Kosova është një ekip që ngadalë po formohet dhe ndeshjet e këtilla me shumë emocion e ndihmojnë atë. Publiku ka krijuar një atmosferë shumë të mirë, derisa ekipi im dhe tërë ekspedita e Federatës Gjermane jemi ndie shumë mirë këtu”, ka deklaruar Kuntz.