Vdes një 13 vjeçare në Pukë, mjekët dyshojnë se ka vdekur nga fruthi

Një 13 vjeçare ka ndërruar jetë në Iballë të Pukës, kurse dyshimet janë për shkak të fruthit. Ministria e Shëndetësisë thotë se familjarët kanë lajmëruar mjekun e Qendrës Shëndetësore, pasi e mitura kishte humbur jetën.
Mjekët vendorë dyshuan se edhe vëllezërit dhe motrat e viktimës mund të ishin prekur nga fruthi. Të tre fëmijët e tjerë të familjes u transportuan nga zona e izoluar me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes nga bora drejt QSUT-së.Sipas mjekëve, në shërbimin infektiv dhe pediatrik ku po trajtohen fëmijët nuk kanë shenja klinike për fruth. Vajza është diagnostikuar me bronkopneumoni, ndërsa djemtë me grip.
Por, për të vërtetuar diagnozën, priten përgjigjet e analizave që po kryhen në Institutin e Shëndetit Publik.  Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë thotë se ka ngritur një grup pune për verifikimin e shkakut të vdekjes së 13 vjeçares./abcnews.al