Zv.kryeministrja Senida Mesi: Bashkëpunimi mes njerëzve e bizneseve të rajonit,shërben pozitivisht për integrimin tonë në BE

Zëvëndëskryeministrja Senida Mesi ka vlerësuar pozitivisht edicionin e parë të “Tirana Economic Forum”, organizuar nga “SCAN Media Group” duke evidentuar tematikën e diskutimeve e nivelin e lartë të pjesëmarrësve. Në fjalën e saj, Mesi evidentoi se po punohet për të garantuar një rritje ekonomike, të qendrueshme dhe inteligjente dhe se këto objektiva të vendit nuk mund të shihen si të jashtme dhe të pa integruara me rajonin.
Politikat rajonale të Shqipërisë bazohen në parimin e gjithëpërfshirjes, në parimin e një procesi të bashkimit rajonal duke krijuar kështu një infrastrukturë të përbashkët rajonale e cila ndërlidhet me rrjetet infrastrukturore europiane dhe euroaziatike, heqjen e gjithë barrierave fizike dhe lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve duke synuar kështu rritjen e shkëmbimeve midis njerëzve, rritjen ekonomike, importet, eksporte me gjithë vendet e Rajonit.
Por nuk mjafton vetëm kjo, duhet të njohim më mirë dhe njëri-tjetrin, duhet të njohim më mirë dhe kulturën dhe traditat tona dhe sigurisht kjo kërkon angazhim të të gjitha palëve në vendet e Rajonit por sigurisht edhe të Bashkimit Evropian që neve të angazhohemi për të prezantuar më shumë veten në kuadrin e asaj nisme dhe dëshirës sonë të madhe në integrimin në Bashkimit Evropian.  Pa diskutim që bashkëpunimi dhe ndërlidhja me Ballkanin Perëndimor nuk mund të shihet si e vetme pa partnerët tanë strategjikë” tha Mesi.
Ndërsa evidentoi projektet e përbashkëta rajonale, zëvëndëskryeministrja bëri të ditur nismën e radhës që Parlamenti Europian më datë 6 shkurt do të prezantojë e që është perspektiva e besueshme për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor. “Besojmë që ky është një moment shumë pozitiv për Shqipërinë, jo vetëm për ekonominë dhe integrimin e saj në Europë por flitet për herë të parë në kontekstin politik për një Shqipëri, pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe Ballkani i tillë në kuadrin politik në lidhje me integrimin në Bashkimin Europian dhe sigurisht mendojmë që lidhja organike, bashkëpunimi organik mes njerëzve dhe bizneseve të Shqipërisë me vendet e Rajonit do të shërbejë në mënyrë pozitive në lidhje dhe me integrimin tonë në Bashkimin Europian” tha Mesi.