​Forca të shtuara të Policisë në Jarinje në pritje të Gjuriqit

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në numër të shtuar kanë shkuar sot në mëngjes në kufirin e Jarinjes në veri të vendit, për të ndaluar hyrjen e mundshme në territorin e Kosovës të drejtorit të Zyrës për Kosovën pranë qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se në pikën kufitare të Jarinjes është shtuar dukshëm numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët do të pengojnë Gjuriqin që po pretendon të hyjë në Kosovë.

Sipas këtyre burimeve, janë rreth 40 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët po e presin eskortën e Gjuriqit, ndërsa në vend të ngjarjes vërehen edhe vetura shtesë të policisë.

“Ka shumë policë, janë në punë dy ndërrimet e policisë, ka automjete shtesë edhe të policisë kufitare të Kosovës, ndërsa operacioni po udhëhiqet nga nënkoloneli i policisë Mentor Shabani”, kanë thënë burimet.

Ndryshe, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq bashkë me sekretarin gjeneral të presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq, kanë paralajmëruar për sot pjesëmarrjen e tyre në një panel me temën ‘Gjendja e serbëve në Kosovë’ që do të mbahet në veri të Mitrovicës.

Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Kosovës nuk ka dhënë leje për vizitën e këtyre zyrtarëve serbë në vendin tonë. /KosovaPress/