​Haxhiu-Reçicës: Është marre çka ke thënë

Derisa po vazhdon seanca e Kuvendit të Kosovës, ka plasur debati ndërmjet deputetit nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu dhe ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Kjo ndodhi pasi deputeti Haxhiu ka kërkuar ndryshimin e nenit 8 të ligjit për pensionet, ku përkufizohet periudha e punës prej 15 vjet në mënyrë që një person të ketë të drejtën e pensionit kontributdhënës.

E ministri Skender Reçica u shpreh se Kuvendi i Kosovës e ka pasur mundësinë që të ikë nga kjo situatë qysh në vitin 2014.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk po i ikë përgjegjësisë, derisa ka shtuar se ligji për pensionet diskriminon kategoritë më të ndjeshme të pensionistëve.Këtu ka replikuar deputeti Haxhiu. Sipas tij, ministri Reçica nuk po ofron zgjidhje.

Ai ka thënë se është turp për ministrin Reçica që t’i referohet Kushtetutës jugosllave.“Zgjidhja të takon ty i nderuar Ministër dhe të takon i nderum ministër. Dhe, Enveri ka qenë edhe më herët pjesë e Parlamenti. Bjere ligjin me këto dy ndryshime. Epo edhe Enveri po thotë: ‘jo more çfarë’, se nuk i intereson me e zgjidh këtë problem sepse po donë me bë politikë, jo e ka pru ai, jo ky. Ligji i referohet gazetës zyrtare e jo ligjit federativ… S’kemi nevojë për Kushtetutën e Jugosllavisë më, as me ju referu ligjeve të federatës jugosllave. Është marre kjo çka ke thënë”, tha Haxhiu.

E ministri Reçica ka thënë se për të nuk është e rëndësishme të pajtohet me të tjerët por të punohet.“Deputet Haxhiu, nuk e kemi ndërmend të pajtohemi, por e kemi ndërmend të punojmë. Po mendoj që jemi duke dëshmu çdo ditë punën që bëjmë. Edhe njëherë po e përsëris, ne kemi trashëguar këtë sistem pensional, dhe kemi fillu me reformu… Ju e keni votu, jo unë”, shtoi ai.

Në fund të debatit, ministri është zotuar se në javën tjetër do të nis punën për ndryshimin e këtij ligjit, gjithnjë në koordinim me ekspertë dhe Ministrinë e Financave.