​Artisti nga Kosova po mahnit botën

Shumë të rinj në Kosovë ndonëse kanë talent për art, nuk besojnë se do të mund të kishin përspektivë me këtë profesion në vendin e tyre.

Mirëpo piktori i ri Suad Rama po e dëshmon se mund të ndodh e kundërta, duke depërtuar gjithandej nëpër botë me veprat e tij.

Pikturat e tij janë ekspozuar në shumë qytete të mëdha të botës, disa prej tyre madje janë shpërblyer e disa janë shitur me çmime të mëdha.

Ditë më parë ai ka shfaqur punimet e tij shumë të veçanta në një ekspozitë që ka mbajtur në Mynhen të Gjermanisë. Njerëzit kanë mbetur të mahnitur me atë që kanë parë në këtë ngjarje artistike. Rama në intervistat që ka realizuar më parë për mediat në Kosovë ka thënë se për të arti është nevojë.

“Për mu arti është nevojë, është shprehje e brendshme, nuk ka ndonjë qëllim, por kudo që arrij nuk ka problem. E dashuroj profesionin”, kishte deklaruar ai. Pikturat e tij janë publikuar edhe në një revistë të famshme të artit në Berlin.

Ai ishte përzgjedhur për tu bërë pjesë e këtij projekti pasi Komisioni përkatës i kishte parë fotografitë e punimeve të tij në rrjetet sociale. Ndërkaq në një ekspozitë në Kajro të Egjiptit ku kishte marrë pjesë vite më parë, Rama kishte fituar çmimin e dytë me pikturat e tij.