​Levante nuk dorëzohet, e kërkon eliminim e Barcelonës edhe në gjykatë

Levante e ka konfirmuar se do të ankohet edhe te Gjykata e Arbitrazhit Sportiv për Barcelonën, pasi Federata e Futbollit të Spanjës nuk ia pranoi kërkesën për eliminimin e katalonasve nga Kupa e Mbretit.

Levante pretendonte se katalonasit duhet të eliminohen pasi që pjesë e skuadrës ka qenë Chumi, i cili nuk ishte i lejuar të luante. Mirëpo, gjyqtari i komitetit të konkurrencës spanjolle, Carmen Perez, ka vendosur që ta lejojë pjesëmarrjen e Barcelonës në Kupën e Mbretit, duke thënë se ankesa është paraqitur me vonesë.

“Gjyqtari Carmen Perez konsideron se në përputhje me rregullat e FA-së spanjolle, ankesa e paraqitur nga Levante në orën 09:33 të së premtes u hodh poshtë pasi ka ardhur pas kohës së caktuar”, ka thënë Perez.

Incidenti në fjalë ndodhi gjatë ndeshjes kundër Levantes, në Kupën e Mbretit. Katalonasit e kishin humbur atë ndeshje me rezultat 2-1, mirëpo e siguruan kualifikimin përmes fitores në ndeshjen kthyese me rezultat 3-0, pasi që fitoi me rezultat të përgjithshëm 4-2.

Megjithatë, Levante ende po shpreson se do ta zë një vend në çerekfinale të Kupës së Mbretit duke kërkuar eliminim të Barcelonës për shkak se në skuadër kishte qenë Chumi, i cili nuk kishte të drejtë të luante.

Chumi ishte ndëshkuar me kartonin e pestë të verdhë për këtë sezon të ekipit B të Barcelonës dhe për këtë arsye ai nuk kishte të drejtë të luante. Për këtë arsye faqja zyrtare e Levantes në Twitter ka bërë të ditur se ata nuk do të mjaftohen me vendimin e federatës spanjolle.

“Levante do ta apelojë vendimin e Federatës së Futbollit të Spanjës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv”, shkruhet në postimin e Levantes.