19 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

0
260

Më 16 maj 1999, atëherë kur lufta gati arriti një vit në Kosovë, Ukshin Hoti arrin te fundi i dënimit të tij politik në burgun e Dubravës, pasi u arrestua nga forcat serbe. Por dhe pse u lirua ai asnjëherë nuk u kthye në shtëpi.

Më 19 maj 1999, burgu ishte rrethuar me tanke dhe me armë antiajrore të ushtrisë serbe, bombardohet nga NATO. Në ditët në vazhdim rojet dhe paramilitarët serb radhisin në oborr 800 të burgosur shqiptarë nga 1000 që kishte burgu, ndërsa të tjerët fshihen nëpër qeli të burgut.Rojet dhe paramilitarët serb zbrazin plumbat e tyre tek të burgosurit me të gjithë arsenalin që ata kishin në dorë: granata, mitralozë, snajperë dhe bazukë. Masakrohen 176 persona dhe plagosen mbi 200 të tjerë. Human Right Watch shkoi në vendin e ngjarjes me 24 maj të vitit 1999 dhe vë në dukje dëmet që do t’i publikojnë në raportin e tyre. Mirëpo Ukshin Hoti nuk u gjet në mesin e tyre. Ai mbetet një nga mijërat personat e zhdukur që prej periudhës së luftës në Kosovë.Sot është mbajtur një tubim sensibilizues për fatin e Ukshin Hotit me rastin e Javës së Ukshin Hotit, që u organizua në Krushë të Madhe të Rahovecit, vendlindjen e tij.

 Kush ishte Ukshin Hoti?

Ukshin Hoti ishte veprimtar  i shquar i çështjes kombëtare. Ai ka lindur më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren dhe në Prishtinë. Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse 2 vite pasuniversitare i kreu në Beograd, në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike. U specializua një vit edhe në universitetet amerikane: në Chicago, në Universitetin e Harvardit, në Boston si dhe në Washington D.C. Në vitet ’70-të ushtroi detyra të shumta, në pozita të ndryshme të jetës politike dhe arsimore të Kosovës. U burgos tre herë: më 19 Nëntor 1981, pasi në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë mbrojti hapur kërkesat e studentëve shqiptarë për Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë; në mars të 1993 u burgos për herë të dytë, pasi një vit më parë kishte organizuar homazh për martirët e demokracisë në Brestovc. Më 17 maj 1994 e dënuan me 5 vjet burg për arsyen se ishte pjesëmarrës i lëvizjes për Republikën e Kosovës. Më 16 maj 1999 kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit politik prej 5 vjetësh. Pasi nxirret në mënyrë të fshehtë nga burgu i Istogut, prej vitit 1999 nuk dihet më asgjë për fatin e tij.