20 vite nga dita e fundit kur u ndamë përjetësisht

0
340

Shkruan Gazmend Syla

20 vite nga dita e fundit kur u ndamë përjetësisht.

U zgjuam herët diten e 5 prillit 1999 ,sepse duheshim të jemi në pikën e “Çergashit” (heroit Agim Zeneli) te shkolla në Jabllanicë, ishte e 3-ta apo e 4-ta ditë që serbia kishte marrë ofensivë për marrjen e pozicioneve tona.

Shkuam asaj rruge të fshatit, gjithmonë ti me humorin tënd, u ndalëm te shitorja e fshatit, aty pronari Sadiku t’i kishte lënë disa birra vetëm për ty.

Poshtë shkallëve të hyrjes u ulem, e qele njërën, mos gabofsha vetëm 2 kishin qenë, më lute për një, por nuk e mora sepse nuk kisha pi kurrë, por edhe doja të kurseja se nuk kishe më.

U nisëm për te “pika” .Luftë e ashpër filloji, si zakonisht qe ishe Luan, mitrolezin 12.7 e përdore atë ditë deri afër mesdite kur veç një plumb të mori aty ku i merr trimat, në ballë, mitrolezi pushoi.

Ne bashkëluftëtarëve tu na pushuan të rrahurat e zemrës, sepse pushka jote në asnjë rrethanë nuk u ndal prej asaj dite kur hyre në UÇK. U afrova të shikoj çka ndodhi, të pashë ashtu sikur nuk desha kurrë të të shoh.

Për pak çaste bashkluftëtari ynë Shabani e mori përsëri mitrolozin. Nazmiu me disa bashkëluftëtarë e mori përsipër tërheqjen e trupin tënd. Çfarë ndjenje vëlla Naser ta shoh trupin tënd në dorën e 4 burrave? A e din çka bana vëlla? Ta mbulova gjakun që kishe derdh me dheun e istikamit ku ishim, thash me vehte se pozicionet tona, kurdo që thyhen, armiku të mos e sheh dhe mos të shkel mi gjakun tënd.

Nuk e zgjatëm shumë Naser se edhe municioni u harxhu. Pasi u kthyem te shtabi, e takuam Ramushin pash diçka në sy të tij që kurrë ma heret nuk e kisha pa sepse e kish marr lajmin tënd vëlla Naser.

20 vite pa ty sa 200, por këtë buzëqeshjen qe ta zgjodhem për foto të akademisë nuk do ta harroj deri në frymën e fundit.

Lavdi të qoftë Hero