20 vjet nga rënia heroike e Jasharëve

0
513

Kosova sot përkujton 20 vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari. Beteja treditore nisi në mëngjesin e 5 marsit 1998, kur serbët ia mësynë shtëpisë së Adem Jasharit në Prekaz.

Flijimi i tyre ishte një akt i papërsëritur historik dhe vepër e shenjtë e dhe e pashembullt, e cila  kalon të gjitha përmasat e një flijimi të rëndomtë, të njohur nga e kaluara e afërt dhe e largët, jo vetëm në historinë e kombit tonë, por edhe te kombet e tjera, duke u kthyer në mit për të gjitha kohët, njerëzit dhe në të gjithë hapësirën kombëtare shqiptare.

Nuk ka edhe një rast tjetër që të jetë i njohur në histori, nuk ka edhe një fenomen tjetër të ketë bërë një shembull si ky, kaq sublim heroizmi dhe vetësakrificë me një akt të tillë të papërsëritshëm, vetëflijimi kolektiv, me të gjithë pjesëtaret e pranishëm të familjes, pleq, gra dhe fëmijë, që do të shkriheshin për një moment dhe në një betejë të vetme për mbrojtjen e nderit familjar, ndërgjegjes kombëtare dhe lirisë së kombit dhe të shqiptarëve në përgjithësi, siç ishte rasti me familjen heroike Jashari.

Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore.

Qëndresa e Familjes Jashari-Rrethimi i parë

Dhjetë vjet pas shtetrrethimit të Tahir Mehës nga policia dhe ushtria serbe, ajo do të provonte edhe njëherë përsëritjen e akteve të saj makabre ndaj shqiptarëve të pa mbrojtur, por kësaj radhe kundër familjes Jashari. Dhjetë vjet pas vrasjes së Tahir Mehës, në dimrin e ftohtë të 30 dhjetorit të vitit 1991, nga policia dhe ushtria serbe, ishte rrethuar për herë të parë shtëpia e familjes Jashari, por në momente jo fort fatlume për serbët, ngase në shtëpi gjendeshin të tre vëllezërit, të tre djemtë e Shaban Jasharit, të cilët do ta mbronin si çdoherë me vendosmëri bindëse, me trimëri dhe heroizëm, familjen e tyre. Zjarrit të hapur kundër shtëpisë dhe familjes Jashari nga policia dhe ushtria serbe,  vëllezërit Jashari në mbrojtje iu përgjigjen flakë për flakë e me zjarr, duke i kthyer mbrapsht forcat e pushtuesit në mënyrë të turpshme.

Por, tanimë kishin ndryshuar kohët, populli kishte filluar të vetëdijesohej dhe t’i mbronte heronjtë e vet nga pushtuesi, kështu që policia e okupatorit serb nuk pati sukses, me gjithë rrethimin e hekurt që i kishte bërë kësaj familjeje, ngase solidarizimi i popullit shqiptar me familjen heroike të Jasharëve ishte më i madh se kurrë më parë.

Rrethimi i dytë

Pas më se shtatë vjetësh të kaluara, më 22 janar të vitit 1997, duke shfrytëzuar errësirën e natës për mosvërejtjen e lëvizjeve të tyre, para agut të mëngjesit, policia serbe e kishte rrethuar për herë të dytë familjen Jashari. Derisa gratë dhe fëmijët po flinin, policia barbare pushtuese e Serbisë e kishte filluar sulmin e dytë ndaj familjes së pambrojtur,  ngase asnjëri nga të tre vëllezërit,  Rifati,  Hamza dhe Ademi, nuk gjendeshin në shtëpi. Rrethimin e kishte vërejtur plaku Shabani, i cili kishte dëgjuar zhurmën dhe shushuritjen e rrethimit, nga e cila tashmë kishin mjaft përvojë.

Bacë Shabani, me gjithë moshën e shtyrë, ishte ngritur menjëherë dhe me ndihmën e grave dhe të fëmijëve më të rritur, me gjithë plagosjen e dy vajzave, ia kishte arritur ta mbronte familjen me nder nga sulmet e pushtuesit, duke e thyer me turp edhe kësaj radhe sulmin e policisë pushtuese të Serbisë.

Rrethimi i tretë

Rënia heroike e familjes Jashari

 Në natën ndërmjet 4 e 5 marsit 1998, Prekazi dhe familja Jashari rrethohen nga forca të shumta ushtarake e policore serbe. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Forcat policore dhe ushtarake serbe në fillim sulmonin nga këto pozicione: nga Fabrika e Municionit, nga kodrat e Skenderajt, Lisat e Xanit e pozicione të tjera. I menjëhershëm dhe shumë i fuqishëm ishte edhe kundërpërgjigja e Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij.  Beteja e Jasharëve dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Në ditën e parë të sulmit mbi familjen Jashari, filloi një betejë e fuqishme kundër forcave ushtarake dhe policore serbe. E gjithë familja e Adem Jasharit filloi luftimet pas asnjë kompromis e përgatitur për të bërë rezistencë deri në vdekje. Sipas rrëfimit të Besarta Jasharit, dëshmitare e kësaj Epopeje, ditën e parë u zhvillua luftë e madhe, gjatë tërë ditës shtëpitë u granatuan. Atë ditë, u vra vetëm Adilja, gruaja e Ademit. Ajo u vra në shkallët e njërës shtëpi, pasi ajo kishte shkuar për të marrë municion në katin e tretë të shtëpisë ku i kishin dhomat e mbushura me armatim. Tërë dita shkoi me gjuajtje të fuqishme të forcave serbe, ndërsa në mbrëmje të shtënat u qetësuan. Në mbrëmje, Adem Jashari së bashku me djemtë, Blerimi, Kushtrimi dhe Igballi i mbushnin karikatorët dhe bëheshin gati për luftën e ditës tjetër. Ata e vëzhgonin dhe e përcillnin me shumë kujdes situatën.

Në ditën e dytë të sulmit mbi familjen Jashari, gjegjësisht me 6 mars 1998, luftimet sipas rrëfimit të Besartës filluan kështu, “Që në mëngjes, nisën përsëri granatimet e forcave serbe. Granatat binin në çdo pjesë të shtëpive dhe të oborrit. Copat e një granate dhe gojëzat e saj e zunë përfundi Igballin, djalin e bacit Rifat. Granatimet vazhduan të jenë edhe më të fuqishme ndërsa nga copat e granatave filluan të vriten edhe anëtarët e tjerë të familjes. Ademi e Hamza së bashku me djemtë e familjes rezistonin në pozicionet e tyre. Më tragjikja ka qenë një granatë e cila i ra podrumit dhe e çau atë në dy pjesë, duke e shkatërruar atë. Ajo granatë i vrau edhe disa prej anëtarëve tjerë të familjes tonë. Nga kjo granatë dhe disa të tjera që u hodhën rresht, nga plagët e marra vdiqën edhe Hidajetja, vajza e Rifatit dhe motra ime Fatimja, që ishte dy vjet më e vogël se unë. Të gjallë ende ishin Besimi, Kushtrimi dhe Adem, që luftonin nga një pozicion në tjetrin”. Nga kjo mund të kuptohet se beteja vetëm sa po përshkallëzohej edhe më shumë, edhe përkundër dëmeve që po shkaktoheshin dita ditës.

Në ditën e tretë të sulmit, më 7 mars 1998, që konsiderohet edhe si dita e rënies heroike të Komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe familjes së tij, dita e lavdishme e Epopesë së UÇK-së, nga Besarta përshkruhen edhe momentet e fundit dhe kryesore për luftimet në shtëpinë e Jasharajve, “Ademi lëvizte prej pozitës që kishte te një mur në oborr dhe vinte kah vendi ku ishim ne të strehuar. Pas vrasjes së shumicës së anëtarëve të familjes, vritet edhe Besimi. Afër derës së podrumit ku ishim strehuar bie edhe Ademi, në përpjekja për të na mbrojtur. Të gjallë ishim edhe vetëm unë dhe Kushtrimi. E kam pa Ademin kur e ka marrë plumbi, ka rënë te shtylla afër shkallëve të shtëpisë, aty u vra. Pas rënies së tij, djali i tij Kushtrimi (atëherë 13 vjeçar), e mori automatikun dhe u nis në drejtim të një pozicioni tjetër në oborr, sepse policët serbë veç ishin futur nëpër disa depo që i kishim. Në ballafaqim me ta, Kushtrimi ka rënë midis dy shtëpive me automatikë në dorë. Kur nuk mbeti më asnjë i gjallë, vet fillova të shkojë te trupat e secilit duke i prekur dhe duke thirrur me zë mos kishte mbetur dikush i gjallë. I thirrja në emër, por s’përgjigjej askush. Krejt kjo po zhvillohej kah fundi i luftës, në ditën e tretë të sulmit, paradite”.

Në këtë Betejë që u zhvillua tri ditë radhazi me forcat policore dhe ushtarake serbe, së bashku me Komandantin e UÇK-së Adem Jashari, nga familja e tij në fushën e nderit ranë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë, 56 anëtarë të familjes Jashari,10 prej të cilëve fëmijë. Kurse, 22 anëtarë ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia del që mes datës 5-6 mars të largohet nga rrethina dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila pa dhe përjetoj tmerrin derisa vriteshin anëtarët e familjes së saj. Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bashkimi dhe Besarta e shpëtuar,  4 pjesëtarët e familjes që gjendeshin në Gjermani dhe dy vajzat e Ademit që kishin qëlluar tek të afërmit e tyre, ishin 8 anëtarët e mbijetuar  nga 28 anëtarë sa kishte gjithsej atëbotë familja Jashari. Sot, pas kaq vitesh, kjo familja e ndritur është shtuar, rritur dhe gëzuar edhe me emrat e ripërtërirë të Bacë Shabanit, Hamzë dhe Adem Jasharit, të cilët të ripërtërirë nga hiri i heroizmave historikë të familjes, mu si Feniksi,  sigurojnë rritën e jetës së re dhe garantojnë historinë e paraardhësve të tyre heroikë me shumë krenari.

Në 20-vjetorin e rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës sot mbajti seancë solemne me rastin e 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së ditën e hënë, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.