20 vjet nga vrasja e gazetarit dhe profesorit Sabit Veliu bashkë me mikun e tij, aktivistin Musli Shala

Shkruan: Sabit Istogu

Sot bëhen 20 vjet nga vrasja e gazetarit, shkrimtarit dhe aktivistit të shquar të çështjes shqiptare, Sabit Veliu, bashkë me mikun e tij, aktivistin Musli Shalën nga forcat serbe.
Në mëngjesin e 20 marsit ushtria dhe njësitet speciale e paramilitare serbe me arrogancën më të madhe depërtuan nëpër një numër të madhe të shtëpive në lagjet e Skenderajt, e ndër to edhe në shtëpinë e sekretarit të Shkollës së Mesme Teknike “Anton Çetta”, Dibran Shalës. Aty pasi keqtrajtojnë familjarët, dhe pasi bastisin nëpër shtëpinë e Dibranit, arrestojnë dhe marrin me vete djalin e tij, Musliun, si dhe dhëndrin e tij, profesorin e gjuhës angleze dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Sabit Veliun.

Në këtë datë të 20 vjetëve më parë nëpër disa shtëpi policia serbe kishin marrë edhe disa të rinj tjerë si: Lavdim Vojvodën nga Llausha 20-vjeçar (nxënës i Sabitit), xhaxhanë e tij, Nebih Vojvodën dhe mikun e tij Sadik Gashin nga Tërsteniku, Januz Kallecin dhe djalin e tij Xhavit Kallecin nga Polaci dhe Ramiz Gecin nga Llausha. Familjarët kujtuan se po i dërgonin në stacionin policor për arrestim, por Sabitin e Musliun së bashku me gjashtë të tjerë barbarët serbë i ekzekutojnë te pishat sipër Skenderajt, kurse kufomat i bartin dhe i dërgojnë në morgun e spitalit në Mitrovicë. Për vrasjet dhe vendndodhjen e tyre familjarët ishin njoftuar përmes telefonatave nga mërgimtarët atë ditë të kobshme në mbrëmje.

Në lajmet e publikuara serbe, që kishin depërtuar në televizionet perëndimore, ishte njoftuar se policia serbe kishte kapur e vrarë tetë “terroristë” shqiptarë në Skenderaj, duke ua cituar emrat, datat dhe vendlindjet e tyre, ndër ta edhe “diversantin e UÇK-së” siç e kishin quajtur Sabitin ata, kufomat e të cilëve ndodhen në morgun e spitalit në Mitrovicë. E ëma e Musliut, tashmë e ndjerë, Zelfija, me të bijën, Sabrijen, edhe karshi rreziqeve, të nesërmen shkojnë në spitalin e Mitrovicës, i tërheqin kufomat me ndihmën e disa banorëve të atjeshëm dhe i varrosin në varrezat e fshatit Shupkofc në Mitrovicë.

Sabit Veliu së bashku me mikun e tij, Musli Shala, ishin pjesëmarrës në protestat e demonstratat që organizoheshin për çështjen e Kosovës. Sabit Veliu kishte punuar një kohë të gjatë gazetar në Televizionin e Zagrebit. Veliu punoi profesor i gjuhës angleze në Shkollën e Mesme Teknike “Anton Çetta” në Skenderaj. Ishte përkthyes i gjuhës angleze si dhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Veliu merrej edhe me shkrime. Dy nga botimet e tij janë: “Fjalor anglisht-shqip për shkollat e mesme (me rreth 3 000 fjalë)” dhe “Antologjia e fjalëve të urta”, nga mendimtarë të njohur.

Në vendin e quajtur “Te Pishat” në Skenderaj, në nderim të profesorit Sabit Veliut e Musli Shalës dhe gjashtë të rënëve të tjerë është ngritur një pllakë përkujtimore.

(Marrë nga Epoka e Re)