21 mjekë vdiqën nga Covidi në Kosovë që nga përhapja e pandemisë

0
67

Në Kosovë vazhdon të rritet numri i viktimave nga COVID-19.

Që nga fillimi i pandemisë në vend, kanë humbur jetën 3 mijë e 181 persona, shkruan Front Online.

Këtu hyjnë edhe një numër i madh i mjekëve. COVID-19 ua mori jetën 21 mantelbardhëve që nga fillimi i shfaqjes së pandemisë në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve të Kosovës.

Ai ka bërë të ditur edhe moshën mesatare të personelit shëndetësor që kanë vdekur nga Covidi.

“Që nga fillimi i pandemisë janë ndarë nga jeta 21 mjekë si pasojë e infektimit me COVID-19. Mosha mesatare e mjekëve që kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me COVID-19 është 60 vjeç”, ka thënë Sejdiu për Front Online.

Sipas Sejdiut, njëra ndër sfidat që po i përcjellë mjekët kosovarë në luftimin e pandemisë është trajtimi i pacientëve të pavaksinuar.

“Një nga sfidat e mjekëve që po përballen gjatë pandemisë është trajtimi i pacienteve të pa vaksinuar me dozat përcjellëse, si dhe rritja e vaksinimit”, potencoi ai.

Infektologu Ramadani tregon sfidat e personelit shëndetësor në kohë pandemie

Se mjekët kosovarë kanë pasur shumë sfida në luftimin kundër përhapjes së pandemisë, e thotë edhe ish-drejtori i Klinikës Infektive, njëherësh infektologu Hamdi Ramadani.

Ramadani tha për Front Online se mjekët janë gjithmonë në rrezik kur kanë të bëjnë më pacientët e infektuar me COVID-19.

“Sfida e shërbimit mjekësor është gjithmonë evidente dhe rreziku i tyre në kontaktin me pacientët e infektuar ose të dyshuar janë të shumta, ose frika dhe paniku ekziston edhe në mjekësi dhe tek personali mjekësor nga infektimi i Covid-it”, u shpreh ai për Front Online.

Ish-drejtori i klinikës Infektive tha se sfida më e madhe e personelit shëndetësor në pandemi ishte shkuarja në shtetet tjera për vaksinim pasi Kosova nuk ia mundësoi.

Sipas tij, ana humaniste e mjekëve duhet të dëshmohet çdo herë.

“Njëra ndër sfidat tjera ishe edhe vonesa e madhe në sigurimin e vaksinave anti-covid dhe ju është dashur të shkohet në Shqipëri ose tjetër shtet për marrjen e vaksinës e këto e kanë bërë edhe më të rënd situatën e personelit mjekësor. Mjekët janë në frontin e parë me sëmundjen dhe jo vaksinimi I tyre është rrezik dhe sakrificë e madhe por ana humaniste e mjekëve duhet të dëshmohet çdo herë dhe besoj edhe këtë rast me pandeminë”, potencoi Ramadani.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri total i dozave të administruara është 1.834.847 ndërsa momentalisht janë 7 mijë e 221 raste aktive, shkruan Front Online.