25 transferet e mundshme të janarit

Merkatoja e dimrit këtë vit nisi me një superblerje. Liverpooli mori mbrojtësin Virgil Van Dijk nga Southampton për shumën e 83 milionë eurove, duke regjistruar shumën më të madhe të paguar për kartonin e një mbrojtësi. Ndonëse janari nuk shquhet për transferime të bujshme, këtë sezon duket ndryshe, pasi shumë emra të mëdhenj të futbollit, janë me valixhet gati. Ja cilët janë futbollistët që do të jenë në qendër të merkatos dimërore.

Thomas Lemar. Sulmuesi anësor i Monacos ishte vetëm një hap larg nënshkrimit me Arsenalin në fundin e gushtit, por ndërroi mendim në çastet e fundit. Me Monacon që është eliminuar nga Champions League dhe është thuajse jashtë luftës për titull, francezi tani duket më I bindur se kurrë për t’u larguar. Synimi i tij është Liverpooli i Klopp, që gjithsesi nuk mund ta afrojë pa shitur më parë Coutinhon. Përveç ‘The reds’, edhe Arsenali vijon të ndjekë me interes zhvillimet mbi Thomas Lemar. Ai mund të lërë Monacon për një shumë prej 60-65 milionë eurosh.

Malcom. Sulmuesi i Bordosë vijon të befasojë me golat spektakolarë që shënon. Ai është kthyer në një idhull të tifozërisë së Bordosë, ndërsa kohët e fundit i janë shtuar adhuruesit edhe jashtë Francës. Jose Mourinho po e ndjek me vëmendje rritjen e brazilianit dhe është gati t’i bëjë një vend në Manchesterin e tij. Ky transferim mund të kryhet për rreth 35-40 milionë euro.

Alexis Sanchez. Nuk është më një sekret, që kiliani dhe Arsen Wenger nuk gëzojnë raporte të mira. Sanchez ishte shumë pranë Manchester City-t në verë, por transferimi dështoi pas refuzimit të Lemar për të shkuar te Arsenali. Edhe në janar është skuadra e Guardiolës që ruan interesin për Sanchezin, por pavarësisht destinacionit, sulmuesi duket i bindur të lërë ‘Topçinjtë’.

Sergej Milinkoviç-Saviç. Mesfushori serb ka ‘marrë për dore’ Lazion dhe po e udhëheq drejt vendeve ta para të renditjes me lojën e mirë dhe golat e shpeshtë. Rritja e shpejtë ka bërë që bardhekaltrit të pretendojnë rreth 70 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa interesi është i lartë, duke filluar që nga skuadrat e Manchesterit, Chelsea, por edhe PSG-ja.

Christian Pulisiç. Ylli amerikan i Borusias së Dortmundit vijon të tërheqë vëmendjen e ekipeve të mëdha dhe të shtojë adhuruesit në shumë klube. Momenti jo I mirë që po kalojnë verdhezinjtë e ka bërë Pulisiç të mendojë largimin nga ‘Signal Iduna Park’, për të synuar objektiva më madhorë me klube të elitare.

Mesut Ozil. Gjermani la Realin e Madridit për t’iu bashkuar Arsenalit, por tani duket se është në ditët e fundit të aventurës londineze. Kontrata e Ozil përfundon në muajin qershor dhe fantazisti ka refuzuar kategorikisht rinovimin, ndërsa Wenger do të kërkojë ta shesë në janar, për të mos e humbur me parametra zero në verë. Për Ozil kanë shprehur interes skuadra si Manchester United, Inter, etj.

Jean Seri. Mesfushori i Nices është një zbulim i sezonit të kaluar, që po konfirmohet edhe këtë vit. Ai është një futbollist që shquhet për qarkullimin e mirë dhe të shpejtë të topit, ndërsa në Ligue 1, vetëm Rabiot dhe Verratti kanë bërë më mirë se ai. Barcelona po ndjek me vëmendje francezin, te i cili shikon alternativën ideale të brazilianit Paulinho.

Ryan Sessegnon. Mbrojtësi anësor i Fulhamit është vetëm 17 vjeç, por në Britani cilësohet si pasardhësi i Gareth Bale. Nga java në javë, Sessegnon befason me rritjen dhe përmirësimin e tij, ndërsa shumë skuadra të Premier Leagues janë gati të paguajnë shuma të mëdha për kartonin e tij. Tottenham, Manchester City dhe Chelsea, prej kohësh kanë shprehur interes për anësorin.

Theo Walcott. Një tjetër i pakënaqur në radhët e Arsenalit. Mesfushori anësor ka kërkuar largimin nga ‘Topçinjtë’ për të gjetur më shumë hapësira, duke qenë në prag të Kampionatit Botëror. I lënë shpesh në stol nga Wenger, Walcott ka oferta nga disa klube të Premier Leagues, që kërkojnë ta huazojnë për muajt në vazhdim.

Philippe Coutinho. Transferimi i brazilianit te Barcelona është kthyer në një telenovelë të vërtetë, që mund të mbyllet këtë dimër. Pasi Liverpooli refuzoi në verë ofertën e katalanëve prej 120 milionë eurosh, drejtuesit e Barçës kanë gati 135 tani në janar, për të bindur anglezët. Vetë Coutinho e kërkon me patjetër transferimin te Barça dhe Liverpooli duket se ka ndërmend të pranojë paratë dhe të afrojë Thomas Lemar si zëvendësues të tij.

Antoine Griezmann. Ndonëse nuk është në formën e tij më të mirë, Antoine Griezmann vijon të kërkohet nga skuadrat më të mëdha të globit. Francezi duket se ka bërë valixhet gati dhe pret vetëm arritjen e marrëveshjes mes Atleticos dhe Barcelonës ose Manchester Unitedit, 2 klube që kanë dakordësinë e sulmuesit.

Kepa Artrizabalaga. Portieri i Athletic Bilbaos duket gjithashtu me valixhet gati, ndërsa destinacioni më i mundshëm për të, është Reali i Madridit. Zidane ka kërkuar një përforcim në portë dhe 23-vjeçari shikohet si alternative ideale për të tashmen dhe të ardhmen e madrilenëve. Së fundi, Kepa ka fituar edhe një vend në kombëtaren spanjolle, ndërsa me shuëm gjasa do marrë pjesë edhe në ‘Rusi 2018’.

Olivier Giroud.Për sulmuesin francez është e njëjta situatë me Walcott. Deschamps i bën presion që të luajë më shumë për të mos humbur trenin që të çon në Rusi, por Giroud ka edhe një problem tjetër. Bashkëshortja e tij ka refuzuar largimin nga Londra, duke bërë që të dështojnë negociatat e sulmuesit me Evertonin.

Inigo Martinez. Qendërmbrojtësi i Real Sociedadit nuk u largua në verë, ndonëse kishte oferta të shumta, por duket se është gati të ndërrojë ambient në janar. Manchester City është i pari në listë, pasi stili i lojës së Martinez pëlqehet shumë nga Guardiola. Edhe Barcelona vijon të shprehë interes për të, ashtu si gjatë muajve të verës, ndërsa kohët e fundit katalanët janë në emergjencë në repartin e prapavijës dhe mund të hidhen në sulm për të marrë Martinezin.

Leon Goretzka. Sulmuesi i Schalke 04 dhe kombëtares gjermane po shkëlqen me paraqitjet e tij në Bundesligë. Në listë për të marrë shërbimet e tij janë shumë klube, duke filluar nga Liverpooli, Reali i Madridit, Interi, Chelsea, etj. Kontrata e tij skadon në verë dhe gjermanët e Schalkes do të ishin të lumtur të përfitonin sadopak nga largimi i tij.

Gianluigi Donnarumma. Pas shumë replikash në distancë, Donnarumma rinovoi me Milanin në verë, por vetëm pak ditë më parë, disa deklarata të Mino Raiolës bënë që të prishej sërish marrëdhënia mes portierit dhe klubit kuqezi. Duket se tashmë edhe tifozët e bekojnë një largim të Donnarummës dhe me krizën ekonomike që po kalojnë kuqezinjtë, Gigio mund të sillte para mjaftueshëm në arkë, për të rregulluar bilancet. PSG-ja dhe Reali i Madridit janë 2 nga klubet që mund të paguajnë rreth 60 milionë euro për kartonin e tij.

Joao Mario. Erdhi verën e kaluar te Interi, si kampion i freskët Europe me Portugalinë, por pas 1 sezoni e gjysmë, fantazisti nuk ka bindur aspak. Derbi ishte një tjetër mundësi e çuar dëm nga 23-vjeçari, që më herët pati deklaruar se do të shikojë mundësinë e largimit, pasi kërkon të mos humbë kampionatin botëror ‘Rusi 2018’. Edhe zikaltrit nuk janë kundër këtij transferimi, por klubet që janë të gatshme të paguajnë për kartonin e tij janë të pakta.