25 vjet nga rënia e Heroit, Hamdi Ferati

Sot janë bërë 25 vjet nga rënia e Heroit, Hamdi (Qazim) Ferati, shkruan Fokusi.info.

Në këtë rast, nga ora 11:00 do të bëhen homazhe në varrezat e Dëshmorëve në Stanoc të Vushtrrisë, kurse nga ora11:30 te Lapidari i Dëshmorit në dalje të Vushtrrisë.

Hamdi Ferati ishte ushtar në Brigadën 141 “Mehë Uka” të Zonës Operative të Shalës.

Më 10 maj 1999, Hamdiut me bashkëluftëtarët, Zeqir Gashit dhe Mursel Ukës, u jepet detyrë ushtarake nga komandanti i Brigadës 141 “Mehë Uka”, Hysni Ahmeti, të shkojë në Vushtrri për furnizim me armë e municion. Rrugës për në Vushtrri, në fshatin Studime, bien në pritë të forcave policore-ushtarake serbe, ku në këmbim të dyanshëm të zjarrit, nga plumbat e një snajperi të armikut, Hamdiu merr plagë të rënda vdekjeprurëse dhe aty bie heroikisht , ndërsa Mursel Uka plagoset.

Njësia përforcuese e UÇK-së, e lajmëruar nga Zeqiri, pas një përleshjeje të ashpër kundër armikut nga afërsia, arrin ta tërheqë trupin e Hamdiut, ku e varrosin po atë pasdite me nderime ushtarake në fshatin Ceceli të Vushtrrisë.

Hamdiu ishte dekoruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me titullin “Hero i Kosovës”./Fokusi.info/

Lini një Përgjigje