27-vjetori i Referendumit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Më 1 dhe 2 mars 1992, rreth 97 për qind të 45 mijë votuesve shqiptarë të Preshevës,  Bujanocit dhe Medvegjës, në 71 vendbanimeve, u deklaruan ” PËR”: ” Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës “. Kaluan 27 vjet nga mbajtja e referendumit e statusi politik i shqiptarëve të këtij rajoni, mbeti i pandryshuar. Pushteti i dikurshëm dhe ai aktual i Beogradit, nuk i përmbushin kërkesat legjitime të shqiptare, të cilat edhe vet i  vënë në “Planin” për zgjidhjen e krizës në hapësirat e Luginës së Preshevës.
Para 27 vjetësh, pikërisht, më 1 dhe 2 mars 1992, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, organizuar nga subjektet politike dhe asociacionet e tjera, u mbajt me sukses Referendumi për ” Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës”.
Rreth 100 mijë shqiptarë etnikë të Luginës së Preshevës, për herë të parë gjatë historisë, patën rastin në mënyrë të organizuar dhe dinjitoze ta shprehin  vullnetin politik përmes Referendumit, duke votuar demokracinë, vetëvendosjen dhe ardhmërinë e tyre.
Një marsi i para 27 vjetësh, vërtet, ishte një ditë gëzimi për  shqiptarët, të cilët në radhë prisnin për të votuar nëpër vendvotimet e stolisura me transparente dhe flamuj kombëtarë. Ata kishin arsye  pse i gëzoheshin kësaj dite madhore. Për herë të parë gjatë historisë ju dha shansi për ta shprehur një akt të tillë politik për të vendosur se në çfarë bashkësie do të jetojnë në të ardhmen.
E DREJTA HISTORIKE DHE KËRKESAT POLITIKE
Në zonën lindore të Dardanisë antike, shtrihet rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, përkatësisht të Luginës së Preshevës, me një sipërfaqe tokësore prej 1249 km2 dhe 139 vendbanime.
Popullata shqiptare e kësaj zone me rreth 100 mijë banorë paraqet etnikumin më të vjetër të territorit të Dardanisë. Kjo zonë kufitare nga më të bukurat të Ilirisë, përbën strategjinë e tokave shqiptare, patriotizmin dhe fisnikërinë si dhe begatinë e pakrahasueshme të monumenteve historike, kulturore, arkeologjike etj.
E vërteta historike se rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës paraqet tërësinë tokësore gjeografike dhe gjeopolitike me Kosovën,  buron nga e dhëna arkivore se ky rajon ka qenë gjithmonë pjesë e pandarë e Vilajetit të Kosovës. Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, kufiri midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë kalonte nëpër Ristoc, përgjatë Bujanocit dhe Vrajës. Para dhe gjatë 1878, rajoni i Preshevës dhe Bujanocit me rrethinë njiheshin si qendër e administratës otomane. Pas vitit 1918 këto dy komuna ngelin si qendra rrethi në Zhupën e Shkupit. Më 1945, kur mbaroi Lufta e dytë Botërore, popullata shqiptare e këtyre komunave e përjetoi edhe një ndarje tragjike. Këto komuna arbitrarisht u shkëputën nga Kosova për të mbetur si qendra rrethi ose komunash në kuadër të Serbisë .
Pavarësisht nga kufijtë politikë administrativë popullata shqiptare falë gjeturisë dhe patriotizmit arriti ta ruajë së pari bërthamën njerëzore, traditën, zakonet e mbi të gjitha dinjitetin kombëtar. Këta kufij politikë nuk arritën ta ndërprejnë lidhjen fizike dhe shpirtërore të kësaj pjese të cunguar të Atdheut me zonat e Karadakut dhe Gollokut që shtrihen në Kosovë dhe Maqedoni. Lidhjet jetësore midis shqiptarëve të kësaj ane me vëllezërit e tyre në Kosovë edhe sot ruhen dhe begatohen me devotshmëri, pavarësisht nga ndarjet me kufij politikë.
DISKRIMINIMI SHUMËVJEÇAR INSTITUCIONAL
Pas zhbërjes së Jugosllavisë titiste dhe lindjes së sistemit shumëpartiak në Serbi, bashkësia shqiptare edhe më tej ballafaqohej me një regjim diktatorial të Slobodan Milosheviqit.
Parlamenti i Serbisë, zbatonte në praktikë një varg ligjesh antidemokratike, të cilat e sollën popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, para një diskriminimi social, kulturor e politik me një rrezik të asimilimit gradual.
Organizimi i pavarur politik i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me egërsoi përcillej nga pushtetarët serbë, të cilët bënin çmos që të shpartallohej organizim i tyre politik. Ish regjimi i Beogradit nuk zgjidhte mjete për ta bllokuar pushtetin lokal në Preshevë, të qeverisur nga subjektet politike shqiptare dhe pamundësonte dhunshëm ardhjen në pushtet të shqiptarëve në Bujanoc dhe Medvegjë.
Subjektet politike shqiptare  edhe pse zgjodhën rrugën institucionale të realizimit të intereseve qytetare e kombëtare, atyre u dilnin përpara ligjet antidemokratike, të cilat seriozisht kërcënonin vlerat e shoqërisë demokratike.
Pas heqjes së gjendjes së luftës dhe arritjes së marrëveshjes tekniko-ushtarake midis KFOR-it dhe “UJ”-së në Kumanovë, situata politike dhe e sigurisë në Luginën e Preshevës, filloi të ashpërsohet. Në shënjestër të barbarisë serbe ishin fshatrat përgjatë kufirit me Kosovën.
Haraçin e një spastrimi të dhunshëm etnik e pagoi më së shtrenjti Karadaku i Preshevës, Malësia e Bujanocit dhe komuna e Medvegjës, që nga lufta dolën me një bilanc tragjik të humbjeve në njerëz dhe të mira materiale. Me këtë spastrim etnik të viseve shqiptare regjimi aktual serb ka ndërruar dukshëm hartën demografike në favor të elementit serb. Për të gjitha këto subjektet politike që veprojnë në këtë rajon, kanë informuar institucionet shtetërore dhe ato ndërkombëtare. Gjendja politike dhe e sigurisë në këto komuna që shtrihen në brezin kufitar me Kosovën, vazhdon të jetë e nderë dhe pa shenja pozitive në përmirësimin e saj.
PËRPJEKJET PËR TA HEQUR GJENDJEN NGA PIKA ZERO!
Përkundër disa hapave që janë shënuar në drejtim të stabilizimit të situatës politike siç janë formimi i policisë lokale dhe nënshkrimi i marrëveshjes për transformimin e mediave lokale, gjendja edhe më tej në Luginën e Preshevës, mbetet e brishtë.
Rajoni i Luginës së Preshevës edhe më tej  është i stërngarkuar me forca të shumta policoro-ushtarake, të cilat paraqesin kërcënim permanent për paqen në rajon.
Proceset politike, ndonëse, kanë ngecur rreth zgjidhjeve së çështjes shqiptare në këto komuna të banuara me shumicë shqiptare, synimet për realizimin e idealeve kombëtare e qytetare nuk kanë pushuar kurrë. Një ideal të tillë e kishin djemtë dhe vashat shqiptare të grumbulluara rreth UÇPMB-së, e cila mjaft e sensibilizoi çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe solli në këtë rajon praninë e monitoruesve ndërkombëtarë.
Klasa politike shqiptare e këtij rajoni, në objektivat e saj, ka për synim realizimin e verdiktit të popullit, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, “për një Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi Kosovës”.
Kjo është rruga më e drejtë dhe më e qëndrueshme e realizimit të aspiratave shekullore të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, për të cilën rrugë u flijuan djemtë dhe vashat më të mira të kombit tonë.
STATUS QUO!
Edhe pas 27 vjetësh, kur popullata shqiptare i tha “Po” Referendumit, me një pjesëmarrje masive në votim, gjendja nuk u ndryshua në të mirë.
Subjektet politike shqiptare të Luginës së Preshevës, vlerat e Referendumit i shpalosin dhe i kujtojnë vetëm kur dalin në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të Serbisë, por edhe kur kanë ndonjë Kuvend partie ose ndonjë manifestim politik e kulturor, pa harruar ndonjëherë përvjetorët e tij.
Po mbushen 27 vjet Referendum e statusi politik i shqiptarëve të Luginës, nuk ka ndryshuar në të mirë. Shqiptarët gjatë këtyre viteve kanë fituar vetëm pushtetet lokale, ndonjë përfaqësim simbolik në Kuvendin republikan dhe në Trupin Koordinues. Gjithashtu, shqiptarët gjatë kësaj periudhe nga dy parti sa kishin atëherë gjatë Referendumit, tashti i kanë bërë gati 10 sish.
Po gjendja e shqiptarëve të Luginës edhe në këtë përvjetor të 27-të të Referendumit mbetet e brishtë dhe me problem politike dhe ekonomike. Në këtë drejtim nuk është zgjidhur akoma me ligj përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, nuk është zbatuar në praktikë dygjuhësia, vendi vazhdon të jetë i mbërthyer me forca të shumta të xhandarmërisë, ushtrisë dhe policisë. Edhe më tej vazhdon të jetë edhe sot aktuale migrimi i popullatës në perëndim, për shkak varfërisë ekstreme dhe papunësisë, vazhdon të jetë jo i kënaqshëm integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore etj.
Të gjitha këto vijnë si pasojë e mosunitetit politik të partive të shumta politike në Luginë, të cilat luftojnë për pushtet e interese të ngushta personale, duke i lënë anash intereset e përgjithshme qytetare e kombëtare.
Ky mosunitet partiak, shpesh i sjell në siklet Beogradin, Prishtinën e Tiranën, të cilat janë bërë imun me qëndrimet e tyre të ndara politike, me përçarjen dhe mospajtimet e natyrave të ndryshme, të cilat vërehen edhe në shënimin e Referendumit, njërës na proceset më të rëndësishme të shqiptarëve të këtij rajoni.