30 vjet nga greva e Stantërgut

Në majën e pushtetit në Beograd po orkestrohej shtypja e Kosovës nëpërmjet imponimit të komunistëve të dëgjueshëm shqiptarë në krye të Krahinës Autonome. Plani që nisi të zbatohej në nëntorin e vitit 1988 ishte në fazën përfundimtare në shkurtin e  vitit 1989.
Pakënaqësia e madhe po ziente përbrenda gjithandej Kosovës. Por qindra metra në thellësi të tokës, minatorët e Minierës së Stantërgut refuzuan të dilnin nga horizontet pas përfundimit të punës. Shpejt do t’u bashkohen edhe minatorët e minierave të tjera, shkruan sot “Koha Ditore”.
Askush nuk po dilte nga dera zi e gjelbër me mbishkrimin e madh me të bardhë, “ME FAT!” Me po këtë shprehje, poshtë, po i jepnin zemër njëri-tjetrit para se ta shpallnin zyrtarisht grevën e urisë. Lajmi do të merrte shpejt dheun.
Jugosllavia, e zhytur në borxhe dhe e mbërthyer nga nacionalizmi serb, kishte humbur udhën. Kisha, Akademia dhe politika serbe u bënë tok për t’i dhënë drejtim sipas hesapeve të veta. Nisi dominimi suprem serb ndaj pesë republikave dhe dy krahinave. Projektin serb synonte ta legjitimonte me ndryshime kushtetuese.