34 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës

Sot mbushen tridhjetë e katër vjet nga vdekja e Enver Hoxhës. Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22-­të. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954 – plot nëntë vite e nëntë muaj e 26 ditë.

Qeveria e Shqipërisë, e drejtuar nga Enver Hoxha, filloi menjëherë të marrë kontrollin e plotë të ekonomisë. Në dhjetor të vitit 1944, menjëherë pas ardhjes në pushtet, regjimi i Hoxhës miratoi ligje të reja që siguronin rregulla shtetërore të rrepta për të gjitha kompanitë industriale dhe tregtare private, si dhe marrëdhëniet e jashtme dhe të brendshme tregtare. Një “taksë për fitimet nga lufta” dhe ligje që lejonin konfiskimin e pasurisë që i përkiste atyre që u quajtën “armik i popullit” dobësuan klasën e mesme ende të vogël të vendit. Në fillim të vitit 1945, qeveria e Hoxhës konfiskoi pasuritë italiane dhe gjermane, anuloi të gjitha koncesionet e huaja ekonomike, shtetëzoi të gjitha shërbimet publike dhe mjetet e transportit, dhe krijoi një rrjet të sponsorizuar nga qeveria të kooperativave të konsumit.

Enver Hoxha arriti ta zhdukte analfabetizmin, i cili në vitin 1939 ishte 90-95%. Në kohën e tij u njësua gjuha shqipe, u ndërtuan shkolla, u hapën Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Për më tepër u bë emancipimi i femrës shqiptare dhe u zhduk gjakmarrja.

Gjatë qeverisjes së tij, arsimi dhe shëndetësia rilindën. Historiani amerikan James S O’Donnel ka nxjerr fakte si i takon pushtetit të Hoxhës në librin e tij: “A coming of age Albania under Enver Hoxha”. Një kapitull i është kushtuar shëndetësisë dhe arsimit, ku tregohet se gjatë komunizmit pati një zhvillim shumë të lartë. Në vitet e tij, ka pasur padyshim një zhvillim të konsiderueshëm sa i përket arsimit dhe kjo shihet në rritjen e investimeve të shtetit sipas planeve të ndryshme pesë-vjeçare. Nga viti 1950 deri në 1970 numri i shkollave dhe i kopshteve ishte rritur më shumë se dhjetë herë në Shqipëri, në një kohë kur popullsia e vendit ishte rritur vetëm tre herë. Numri i kopshteve parashkollore ishte rritur më shumë se 100 herë në krahasim me vitet e 30-ta.

Shërbimi shëndetësor ishte falas për të gjithë dhe është shtrirë deri në fshatrat më të largëta. Para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte tre sëmundje kronike të përhapura thuajse në të gjithë vendin që ishin sifilis, malaria e tuberkulozi. Malaria ishte më e përhapura prej tyre dhe llogaritet të ketë prekur rreth 500 000 banorë, ose gjysmën e popullsisë së vendit. Malaria u çrrënjos nga vendi dhe në vitin 1985 qeveria raportoi se asnjë rast malarieje nuk ishte parë në vend prej 20 vjetësh. Kjo erdhi prej përmirësimit të procedurave mjekësore dhe gjithashtu si rezultat i punës për tharjen e kënetave. Sifiliz ishte një tjetër sëmundje e rëndë në Shqipëri që u pretendua të ishte zhdukur përgjithmonë. Sipas shifrave të qeverisë në vitin 1944 rreth 10 për qind e testeve rezultonin pozitive me sifiliz, ndërsa në 1959 shifra ishte ulur në 0.19 për qind. Tuberkulozi gjithashtu ishte kthyer në një sëmundje të kontrollueshme.

Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqës i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si Sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985, ndërsa vdes dy ditë më vonë.

Ai u varros me një ceremoni madhështore në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit, varri i tij u zhvendos te varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Menjëherë pas vdekjes së sekretarit të Parë të PPSH, Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qendër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij.

Gjithashtu, u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e ditëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Ai u rrëzua më 20 shkurt 1991 nga protestuesit dhe rrëzimi i tij simbolizon edhe rënien e komunizmit në Shqipëri.