Veriu i Kosovës drejt ndarjes!

0
218

Veriu i Kosovës mund të fitoj një autonomi, me mundësi edhe të ndarjes përfundimtare.

Kështu të paktën ka marrë vesh Gazeta Blic nga burime ndërkombëtare.
Sipas këtyre burimeve, në qarqet diplomatike tashmë ka filluar të flitet për idenë e një autonomie për serbët e veriut të Kosovës.
“Madje, në disa takime me liderët e vendit, diplomatë ndërkombëtarë e kanë përmendur si opsion një autonomi për serbët. Por, jo vetëm kaq. Si opsion i mundshëm është përmendur edhe mundësia e organizimit të një referendumi, që serbët ta kenë të drejtën që të deklarohen edhe për pavarësinë nga Kosova”, thonë këto burime.
Gjithnjë sipas këtyre burimeve, e drejta e referendumit, mund të ushtrohet pas 15 vjetësh, raporton Gazeta Blic.
Ndonëse, kjo ide është ende në një fazë të hershme, duket se institucionet e Kosovës janë gjendur në një situatë të papritur në lidhje me veriun e vendit.
Në anën tjetër, në media është raportuar se po diskutohet ndarja e Kosovës.
Është gazeta prestigjioze britanike The Guardian, e cila në një artikull të saj të para disa ditëve, që thirret në diplomatë dhe politikanë, me këtë opsion në tryezë, vendit po i përgatitet një skenar i tmerrshëm: Veriu i Kosovës i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Gazeta britanike kishte publikuar një shkrim të gjatë për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në artikull kishin folur Hashim Thaçi, Edi Rama, Bernard Kushner dhe figura tjera për sfidat dhe arritjet e Kosovës, por edhe diplomatët në kushte në anonimiteti.
Sipas, The Guardian, përfaqësuesit diplomatikë kanë treguar se ndarja e Kosovës është në tryezën e bisedimeve, në një modalitet të rrezikshëm: Veriu i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB.
Gazeta prestigjioze britanike ka shkruar për ndarjen e Kosovës si një opsion që ndodhet në tryezën e bisedimeve.
Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës, kanë mohuar se po flitet për një opsion të tillë.
Ramush Haradinaj e ka bërë të qartë pozicionin e tij në raport me temën e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
Këshilltari i Kryeministrit, Avni Arifi, ka thënë se Shefi i Qeverisë asnjëherë s’ka qenë pjesë e bisedimeve të tilla. Madje, ka thënë se janë të pavërteta, qëllimkëqija dhe çmenduri të mendohet përfshirja e Haradinajt në skenarë të tilla.
“Kushdo që thotë apo dyshon që Ramush Haradinaj është pjesë e çfarëdo bisedimesh apo marrëveshjesh për ndarjen e Kosovës janë të pavërtetë dhe qëllimkeqe dhe i çmendur”, ka thënë Arifi