500 mijë euro u ndanë për organizimin e 20-vjetorit të çlirimit, s’dihet sa u shpenzuan

Qeveria e Kosovës kishte ndarë buxhet prej 500 mijë eurove për organizimin e 20-vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Plot 500 mijë euro, ka qenë buxheti që Qeveria e Kosovës kishte ndarë për organizimin e 20-vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.

Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, ka thënë për lajmi.net, se kjo shumë ka qenë e paraparë në ligjin për buxhetin për vitin 2019, është miratuar në Qeverinë e Kosovës e më pas edhe në Kuvend.

“Buxheti për organizimin e 20-vjetorit të Intervenimit të NATO-s në Kosovë ka qenë i paraparë në ligjin për buxhetin për vitin 2019 dhe është miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe më pas në Kuvendin e Kosovës, në linjën buxhetore për Zyrën e Presidentit të Kosovës. Vlera ka qenë 500 mijë euro”, ka deklaruar Gashi për lajmi.net.

Ajo ka thënë se Qeveria nuk e di se sa para janë shpenzuar nga buxheti i ndarë, për organizimin e 20-vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

“Si janë menaxhuar dhe sa janë shpenzuar, ne nuk e dimë sepse janë menaxhuar nga Zyra e Presidentit të vendit. Për të tjera pyetje drejtohu të zyra në fjalë”, ka deklaruar Gashi.

Lajmi.net, që nga 12 qershori ka adresuar pyetje te anëtarët e ekipit zbatues të Këshillit Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, në lidhje me shpenzimet, por nuk ka marrë asnjë përgjigje se sa para janë shpenzuar për këtë organizim.

Kujtojmë se, Qeveria e Kosovës, më 26 mars 2019, kishte marrë vendim për themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, si iniciativë e katër presidentëve, presidentit Hashim Thaçi, ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe ish-presidentit Behgjet Pacolli, të cilin e kishte udhëhequr ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Në 20-vjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, pjesëmarrës ishte, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara te Amerikës, Madeleine Albright dhe ish-gjenerali, Wesley K.Clark, persona kyç në vendimin për fushatën bombarduese kundër regjimit të Millosheviqit.

Vlen të theksohet se 500 mijë euro ishin ndarë edhe për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë, mjete këto për të cilat ende nuk dihet se si u shpenzuan.

Lini një Përgjigje