7 Marsi- Dita e Mësuesit!

0
487

7 Marsi- Dita e Mësuesit, shënohet si një ngjarje me rëndësi kulturore në gjitha trojet tona shqiptare. Në këtë ditë, ne të gjithë së bashku kujtojmë mësuesit tanë të parë që na mësuan shkronjat shqipe, na mësuan se si ta duam dhe ta respektojmë atdheun. Na mësuan poezitë e bukura të autorëve tonë të mrekullueshëm, që çdo fjalë e varg i saj të mbetet e të ngulitet thellë në mendjet tona. Me aq dashuri e respekt janë sjellë me ne për të na mësuar e kritikuar me metodën e dashamirësisë kur ne bënim gabime. Mësimet e mësuesve tanë u bënë udhërrëfyes për rrugën tonë në të ardhmen.

Mësuesit shqiptarë në çdo kohë e në çdo krahinë, kanë qenë jo thjeshtë profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, humanë dhe artistë të fushave të ndryshme. Çdo njeri nga ne, ka në zemër monumentin e mësuesit të tij të preferuar, të cilit i falet me mirënjohje. Pra, çdo njeri, pavarësisht se çfarë detyre ka sot, qoftë ky ministër apo politikan , biznesmen apo punëtor, ka qenë dikur nxënës, ka pasur përballë mësuesin, mësuesen që s’kursente kohën, frymën, pasionin, jetën, për të brumosur nxënësit me dije, kulturë dhe edukatë.

Më 7 mars të vitit 1887, në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.  Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik ( jo fetar ), ku të gjitha mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësishtë i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Naçi Nuçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull. Me ato mundësi që kishin, ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit, këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm të çështjes kombëtare.

Kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike. Veç tjerash konsiderohet një fitore për popullin shqiptar, pasi deri atëherë mësimet mbaheshin nëpër shtëpi private në mënyre të fshehtë.

Redaksia e portalit “Fokusi.info” ua uron 7 Marsin-Ditën e Mësuesit, të gjithë mësuesve, që i dhanë dhe i japin dritë, frymë dhe shpirt kombit shqiptar./Fokusi.info/