70 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm votuan pro shkarkimit të Vjosa Osmanit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përmes një letre ka bërë të ditur rezultatin e votimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Mustafa ka theksuar se në propozimin për lirimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së prej 123 anëtarë janë përgjigjur 95. Prej tyre 70 janë shprehur për, 16 kundër, ndërsa 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur.

Mustafa tutje ka shtuar se 99 anëtarë janë përgjigjur në pyetjen që Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, prej tyre 92 kanë votuar pro, ndërsa 3 janë shprehur kundër, 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur.

Mustafa ka konstatuar se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së, ndërsa Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë.

“Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës VENDOSI që: z. Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së; znj. Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë”, ka thënë Mustafa.

Gjatë ditës së sotme i pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kërkuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga posti i nënkryetares dhe anëtares së Kryesisë së LDK-së.

Mustafa përmes një letre drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka thënë se në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Osmani në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, bëri apel të mos votohet mocioni.

Sipas tij, ajo vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit aktual i cili përbën Qeverinë Hoti.

“Si Kryetar i LDK-së e kam për obligim të kujdesem për zbatimin e Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht për zbatimin e vendimeve të organeve të LDK-së. Ju përkujtoj se Statuti i LDK-së në nenin 14, pika 14.2 shprehimisht thotë: ‘Anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK-së, nëse ata publikisht refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve, anëtarë të të cilëve janë’. Organet e LDK-së, sipas Statutit janë: Kuvendi i LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Kryetari i LDK-së dhe Kryesia e LDK-së; pastaj Forumi i Gruas së LDK-së dhe Forumi Rinor i LDK-së”, thuhet në letrën e Mustafës.