70-vjetori i NATO-s, Pompeo kërkon përballje me agresionin e Rusisë

0
358

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, deklaroi sot se ministrat e jashtëm 29 vendeve anëtare të NATO-s duhet të përballen me kërcënimet që ekzistojnë aktualisht në botë.

“Ne duhet ta përshtatim aleancën tonë për t’u përballur me këto kërcënime emergjente siç janë: agresioni i Rusisë , migrimi i pakontrolluar, sulmet kibernetike dhe siguria energjitike, konkurrenca strategjike e Kinës dhe të tjera çështje”, tha Pompeo në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Fjala e Pompeos u bë sot gjatë takimit të ministrave të Jashtëm në Uashington, takim ku u përkujtua 70-vjetori i aleancës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi Kongresin amerikan për një kërcënim në rritje të Rusisë, duke thënë se aleanca e Perëndimit nuk po kërkon rihapjen e një tjetër Lufte të Ftohtë me Moskën, por i duhet të ndalë agresionin e saj ushtarak.

Kujtojmë që NATO-ja u themelua në prill të vitit 1949, pak vjet pas Luftës së Dytë Botërore dhe në prag të Luftës së Ftohtë. 12 vende u bashkuan fillimisht në aleancën e Evropës Perëndimore, me qëllim për t’u mbrojtur nga kërcënimi i Bashkimit Sovjetik.