91 milionë euro buxhet për Prishtinën, kërkohen investime kapitale

0
240

Prishtina këtë vit do të ketë buxhetin më të madh për 11 milionë euro. Me buxhetin e miratuar për vitin 2020 Komuna e Prishtinës do t’i ketë në dispozicion për t’i shpenzuar 91 milionë euro. Nga mbikëqyrësit e punës së Komunës është parë e nevojshme të ketë orientim te shpenzimet kapitale, sektor në të cilin vlerësohet se ka ngecje, shkruan sot gazeta Zëri.

Financimet buxhetore në Komunën e Prishtinës për vitin 2020 pritet të jetë 91 milionë e 579 mijë euro. Buxheti i këtij viti, i miratuar më 4 janar 2020, parasheh shpenzime të ndryshme nga drejtoritë komunale në kryeqytet.

Vetëm për shërbime të administratës në Komunë janë ndarë 52 milionë e 641 mijë euro. Në këtë shumë parash janë paraparë pagat dhe mëditjet për punëtorët e këtij sektori, shpenzimet e shërbimeve administrative, veshmbathje, për ushqim, për pije e për shërbime tjera të ngjashme.